Rezoluta e KiE, ende asnjë reagim nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës

29/01/2016 00:00

Edhe pasi kanë kaluar 24 orë nga miratimi i rezolutës për Kosovën nga Këshilli i Europës, asnjë zyrtar i Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës nuk ka mbajtur një qëndrim për atë që ndodhi në Strasburg, e që është vendimi i dytë më i keq pas rezolutës së senatorit Dick Marty, e cila çoi në themelimin e “Gjykatës Speciale”.

Top Channel ka kontaktuar përfaqësues të Kuvendit, ministra të kabinetit qeveritar, zëdhënësin e Qeverisë, por askush nuk ka pranuar të flasë për rezolutën e Këshillit të Europës, e cila përmban edhe 4 amendamente të sponsorizuara nga Serbia.

Për këtë rezolutë nuk tha ndonjë fjalë as kryeministri, Isa Mustafa, gjatë mbledhjes së qeverisë që u mbajt të premten pasdite.

Kjo heshtje e institucioneve të Kosovës po e forcon bindjen e deputetëve të opozitës se, rezoluta e Këshillit të Europës ka ardhur si rezultat i bisedimeve të dobëta të zhvilluara me Serbinë, si dhe si pasojë e keqqeverisjes së vendit.

“Për ne janë problem të paktën dy çështje. E para ka të bëjë me UNMIK-un, pasi është kërkuar që të rikthehet UNMIK-u në Kosovë. Serbia, me gjasë, të gjithë këtë çështje po e bën për shkak të planit të saj që ka në raport me ‘Gjykatën Speciale’, mirëpo edhe për shkak të gjykatave, të prokurorisë dhe policisë që janë vendosur në veri. Pra, po tenton që ato t’i lidhë me UNMIK-un dhe jo me sistemin e Kosovës”, tha Albulena Haxhiu, deputete e Vetëvendosjes.

I vetmi institucion që ka dhënë një qëndrim për rezolutën e Këshillit të Europës, pas këmbënguljes së Top Channel, ka qenë zyra e Presidentes së Kosovës. Pavarësisht përmbajtjes së rezolutës, zyra e Presidentes, përmes një përgjigjeje elektronike ka thënë se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Europës këtë vit.

Sa i takon amendamentit të rezolutës për rolin e UNMIK-ut në bashkëpunimin me “INTERPOL” dhe “EUROPOL” në emër të Kosovës, zyra e Presidentes ka thënë se Kosova do të aplikojë në momentin e duhur për anëtarësim në këto dy mekanizma të sigurisë globale.

Ndërkohë që, në lidhje me faktin nëse do të fuqizohet apo jo UNMIK-u në Kosovë, Presidenca vlerëson se ky mision duhet ta përmbyllë misionin me sukses.

Top Channel