FSHF konfirmon një miqësore më 26 mars

29/01/2016 00:00

Më 26 dhe 29 mars kombëtaret e futbollit kanë mundësi të zhvillojnë dy ndeshje miqësore, duke qënë se UEFA i ka nxjerrë këto dy data si të lira.

Këto dy data janë një mundësi e mirë edhe për Kombëtaren shqiptare, në mënyrë që trajneri De Biasi të shikojë nga afër gjendjen e lojtarëve gati dy muaj larg nga Europiani i Francës. Është folur shumë për miqësore me Kroacinë, Turqinë apo edhe Poloninë, por deri tani nuk kishte pasur ndonjë deklaratë zyrtare nga FSHF-ja.

Ditën e premte, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka konfirmuar se më 26 mars Shqipëria do të zhvillojë një miqësore me një skuadër që është pjesëmarrëse në Europian, por nuk e ka bërë të ditur emrin e kundërshtarit. Duka theksoi se zyrtarizimi do të bëhet nëpërmjet një deklarate të përbashkët më 3 shkurt. Presidenti i FSHF ka thanë gjithashtu se kjo ndeshje do të luhet jashtë Shqipërisë. Ndërsa për sa i përket datës 29 mars, FSHF ka thënë se ende nuk ka diçka zyrtare, por po punohet për të gjetur kundërshtar.

Kreu i Federatës konfirmoi gjithashtu se përpara debutimit zyrtar kundër Zvicrës në Euro 2016, Shqipëria do të luajë dy teste miqësore në muajin maj që do t’i shërbejnë trajnerit Gianni De Biasi për të kolauduar grupin dhe për të mësuar më shumë rreth formës së lojtarëve të veçantë.

Top Channel