Milot Rashica në “vitrinën” e futbollit botëror

28/01/2016 18:20

Mes 50 futbollistëve më premtues në gjeneratën e re të sportit më popullor në planet është edhe talenti nga Kosova, Milot Rashica.

Sipas mediave europiane, djaloshi teknik që luan për të rinjtë e Shqipërisë është radhitur mes lojtarëve, që do udhëheqin botën e futbollit vitet e ardhshme dhe që do të jenë kokat e gjeneratës së re të topit.

Milot Rashica është lindur në 28 Qershor 1996, në Vushtri në veri të Kosovës. Aventura e tij futbollistike nis në vitin 2006, tek të rinjtë e  vendlindjes dhe më pas emigrimi që e hodhi, edhe pse jo direkt, në kampionate elitare.

Pas disa peripecive me rikthimin në Kosovë, futbollisti firmosi me Vitesen në kampionatin holandez, ku spikat edhe këtë sezon. Tashmë lojtari është i thirrur nga trajneri U21 të Shqipërisë, Redi Jupi dhe në pesë ndeshje ka shënuar një gol, në humbjen e thellë ndaj Portugalisë me rezultatin 6-1.

Së fundmi Milot Rashica është kërkuar nga disa ekipe me emër në futbollin kontinental mes të cilëve dhe Gallatasaraj. Anësori është pretendent gjithashtu për të qenë pjesë e kombëtares shqiptare në Euro 2016.

Top Channel