Deklarata e delegacioneve Shqipëri-Kosovë në KiE

28/01/2016 00:00

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës është duke diskutuar një draftrezolutë për “situtatën në Kosovë dhe rolin e Këshillit të Europës”. Draftrezoluta e hartuar nga reporteri Agustin Conde, deputet spanjoll i Partisë së Djathtë spanjolle, bën një vlerësim pozitiv të arritjeve në Kosovë në fushat e demokracisë dhe forcimit të ligjit.

Draftrezoluta nënvizon në përfundim të saj, propozimin shumë të rëndësishëm mbi rritjen e nivelit të dialogut të Asamblesë Parlamentare të KiE-s me Kuvendin e Kosovës, duke bërë shumë të afërt afrimin e Kosovës me KiE.

Kryetarja e delegacionit të Shqipërisë, Valentina Leskaj, duke vlerësuar rëndësinë e kësaj rezolute ka ndërmarrë një proces të gjatë bashkëpunimi dhe konsultimi me përfaqësuesit e Kosovës.

Leskaj ka thirrur në takim ambasadorin e Kosovës në Tiranë dhe ka bërë disa takime konsultative me nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, e njëkohësisht me kryetarin e delegacionit të Kuvendit të Kosovës që ndodhet në Strasburg këto ditë.

Gjatë zhvillimit të këtij sesioni, të dy delegacionet, në bashkëpunim të plotë dhe në harmoni qëndrimesh, kanë gjetur mbështetje për sugjerime të mëtejshme ndaj kësaj rezolute nga shumë delegacione të tjera parlamentare, pjesëmarrëse në sesion.

Deklarimet e bëra në disa media dhe nga persona të caktuar nuk kanë asnjë lidhje me realitetin dhe zhvillimet në KiE, ku fryma e bashkëpunimit mes dy delegacioneve ka qenë shumë pozitive dhe produktive.

Amendimet e propozuara nga delegacionet e Shqipërisë dhe të Kosovës do tëmbrohen gjatë seancës së debatit nga kryetari i delegacionit të Suedisë, socialdemokrati Jonas Gunnarsson.

Top Channel