KiE, draftrezoluta e Serbisë që dëmton Kosovën. Fuqizim të UNMIK-ut kundrejt EULEX-it

28/01/2016 00:00

Ditën e mërkurë, Serbia ka mundur të fusë 3 amendime në rezolutën e përgatitur për votim në Asamblenë e Këshillit të Europës. Projektrezoluta me temë “Situata në Kosovë dhe roli i Këshillit të Europës” është përgatitur nga deputeti i së djathtës spanjolle, Agustin Conde.

Në vija të përgjithshme, projektrezoluta bën një vlerësim pozitiv të progresit të arritur nga Kosova në fushat e demokracisë, si dhe vlerëson ndryshimet kushtetuese, që i hapin rrugë ngritjes së “Gjykatës Speciale”. Gjithashtu përmirësimin e klimës ndëretnike, si dhe dialogun Prishtinë-Beograd.

Rezoluta dënon dhunën në Kuvendin e Kosovës dhe thekson se, prioritet është respekti për shtetin ligjor dhe lufta kundër korrupsionit. Por, ndërkohë, në mungesë të deputetëve nga Shqipëria, përfaqësuesit serbë kanë arritur të bëjnë pjesë të projektrezolutës 3 amendamente të tyre.

Amendimet serbe kanë konsistuar në veçimin e nevojës së implementimit të marrëveshjes së Asociacionit të Komunave, nga gama e marrëveshjeve të arritura mes Beogradit dhe Prishtinës. Gjithashtu, serbët kanë vendosur në tekstin e rezolutës kërkesën për rritjen e rolit të UNMIK, në kuadër të bashkëpunimit me Interpol dhe Europol.

Ky amendim parashikon heqjen e disa kompetencave të EULEX, të cilat iu morën UNMIK-ut pas pavarësimit të Kosovës dhe kthimin në një situatë të ngjashme, kur Kosova ende se kishte shpallur pavarësinë.

Kjo është e papranueshme për Kosovën, ndaj dhe përfaqësuesit shqiptarë kanë kërkuar heqjen e amendamentave të kërkuara nga Serbia dhe evidentimin e rolit të autoriteteve të Kosovës, Policisë së Kosovës në bashkëpunim me EUROPOL dhe Eulex.

Shqipëria dhe Suedia do të tentojnë të rrëzojnë në mbledhjen e Asamblesë, që sapo ka nisur, amendimet serbe, ndërkohë që është marrë mbështetja e përfaqësuesve të Britanisë, Gjermanisë, Hungarise, Turqisë dhe Luksemburgut.

Top Channel