Djokoviç, në finalen e madhe të “Australian Open”

28/01/2016 00:00

Novak Djokoviç konfirmohet si tenisti më i fortë në botë, të paktën në “Australian Open”, ku të dielën do të luajë finalen e 6 në karrierën e tij kundër Andy Murray ose Milos Raonic.

Në gjysmëfinale, serbi 28-vjeçar mundi 3-1 me sete zviceranin Roger Federer, një përballje mes gjigantësh që zgjati plot 2 orë e 23 minuta.

Zvicerani vuri në vështirësi Djokoviçin vetëm në setin e tretë, të cilin e fitoi, ndërsa në të tjerat nuk mundi t’i bëjë ballë serbit, i cili jo më kot është numri 1 i botës për meshkuj.

Për Djokoviçin, kjo është fitorja e 23-të kundër Federerit dhe e para për vitin 2016. Serbi do të tentojë të dielën të fitojë titullin e 6 në Melburn dhe të barazojë rekordin e australianit, Roy Emerson, që e fitoi 6 herë këtë turne në vitet ’60.

Ndërkohë, finalja e femrave do të diskutohet mes Serena Williams dhe Angelique Kerber. Edhe pse 34-vjeçare, amerikanja mposhti lehtësisht 2-0 polaken Anjeska Radvanska dhe kualifikohet për të 26-n herë në finalen e një turneu “Slam”. Ndërsa gjermanja Kerber, e cila del për herë të parë në një finale, mundi po 2-0 me sete britaniken Johanna Konta.

Top Channel