Bisedimet Kosovë-Serbi, Mustafa e Vuçiç me qëndrime të ndryshme për Asociacionin

28/01/2016 00:00

Kryeministrat e Serbisë dhe Kosovës, respektivisht Aleksandar Vuçiç dhe Isa Mustafa, dolën me qëndrime të kundërta mbi vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, pas raundit të 30 të dialogut të nivelit të lartë, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Asgjë nuk do të funksionojë në Kosovë, nëse nuk është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha Isa Mustafa.

Kushtetuta e Kosovës ishte kryefjala e kryeministrit Mustafa, si për zbatimin e marrëveshjeve të deritanishme me Beogradin, edhe në kuadër të pjesëmarrjes së minoritetit serb në zgjedhjet e prillit.

Nga delegacioni serb, Marko Gjuriç këmbënguli për krijimin e shpejtë të “Bashkësisë së Komunave Serbe”, por theksoi se për Beogradin “nuk ekziston e ashtuquajtura Gjykatë Kushtetuese e Kosovës”, e rrjedhimisht “nuk mund të pranohen vendimet” e saj.

Për serbët “atmosfera e takimit ishte e rëndë dhe e vështirë”, ndërsa për kosovarët “e mirë dhe konstruktive”. Në tryezë u bisedua mbi zbatimin e marrëveshjes së parë, atë të prillit 2013, mbi ato të pajtuara së fundmi në gusht të 2015-s, mbi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, si dhe për pranimin e diplomave universitare dhe lëvizjen e lirë, një marrëveshje kjo që duhet rinegociuar për Beogradin, për shkak se nuk është “negociuar mirë” nga qeveria paraardhëse serbe.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, në deklaratën e saj për shtyp flet për një takim “të mirë”. “Ka nisur zbatimi për pranimin e diplomave dhe certifikatave – sipas saj, – dhe ka përparim në zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë, veçanërisht në lidhje me targat e automjeteve”.

Biseda, sipas Mogherinit “është fokusuar në angazhimin e të dyja palëve për të punuar për zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, bazuar në marrëveshjet e nënshkruara tashmë”. Në fund të njoftimit për shtyp të BE-së thuhet se, “të dyja palët ranë dakord edhe për fillimin e bisedimeve mbi lidhjet e drejtpërdrejta ajrore dhe hekurudhore mes Kosovës dhe Serbisë”.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel