Kupa e Mbretit, Barça e Celta Vigo në gjysmëfinale

27/01/2016 00:00

“Tripleta” e dytë radhazi nuk është një gjë e pamundur për Barcelonën, sidomos pas kualifikimit për në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit pas rezultatit të përgjithshëm 5-2 ndaj Athletic Bilbaos.

Barça bëhet favorite për të fituar këtë kompeticion, sidomos pas eliminimit të dy skuadrave të Madridit, Realit dhe Atleticos, ndërsa i vetmi kërcënim mbetet Valencia, nëse arrin të kalojë Las Palmasin të enjten në mbrëmje.

Ndërkohë, sfida në “Camp Nou” nuk filloi ashtu siç duhej për vendasit. Miqtë shënuan shumë shpejt, që në minutën e 12 me anë të Williams, duke arritur ta mbyllin pjesën e parë në favor të tyre.

Katalanasit nuk pranuan të dorëzoheshin, duke përmbysur rezultatin në pjesë të dytë. Luis Suarez shënoi në minutën e 53, ndërsa nëntë minuta nga fundi Pique shënoi golin e dytë.

Në minutën e 91 nuk mund të mungonte një gol i Neymar, i cili realizoi për rezultatin përfundimtar 3-1.

Pas golit të shënuar në këtë ndeshje, sulmuesi uraguajan Suarez bëhet edhe lojtari i parë në Evropë që shënon 30 gola këtë sezon, duke hedhur një kandidaturë serioze për “Këpucën e Artë”.

Ndërkohë, Celta Vigo ka arritur të fitojë në transfertë ndaj Ateltico Madrid 2-3, duke siguruar një biletë për në gjysmëfinale të Kupës. “Dopieta” e Hernandez dhe një gol i Guidettit zhvlerësuan golat e Griezmann dhe Correas.

Top Channel