Kosovë-Serbi, asnjë marrëveshje në raundin e 30-të në Bruksel

27/01/2016 00:00

Ka përfunduar mbrëmjen e kësaj të mërkure në Bruksel raundi i 30-të i bisedimeve të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Bisedimet janë zhvilluar në praninë e dy kryeministrave, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiç, si dhe të Përfaqësueses së Lartë, Federica Mogherini.

Në përfundim të takimit, kryeministri Mustafa ka bërë të ditur se, me Serbinë nuk ka ende një marrëveshje konkrete për Asociacionin e Komunave Serbe.

“Asgjë nuk zbatohet nëse nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa nga delegacioni serb, Marko Gjuriç ka thënë se, pavarësisht Kushtetutës kosovare, Serbia nuk e njeh atë zyrtarisht.

Ndërsa pak para nisjes së bisedimeve, kryeministri Vuçiç deklaroi se, procesi është shumë i vështirë dhe nënvizoi se synimi i tij do të ishte që zgjedhjet parlamentare serbe të zhvillohen edhe në Kosovë.

Ky ishte takimi i parë për vitin 2016, që nisi me traditën e takimeve të veçanta mes Mogherinit dhe dy kryeministrave dhe më pas vijoi me atë trepalësh.

Gjatë 2015-s pati vetëm 6 raunde të tilla dialogu, i cili kushtëzon avancimin e secilit vend në proceset integruese drejt BE-së.

Tryezës së dialogut në Bruksel i parapriu vizita e anëtarëve të komisionit parlamentar të integrimit në Kuvendin e Kosovës.

Ata u pritën nga komisioneri Hahn, i cili konfirmoi hyrjen në fuqi të MSA-së brenda verës dhe theksoi rëndësinë e përmbushjes sa më shpejt të kritereve të mbetura të udhërrëfyesit për heqjen e vizave.

“Ngërçi i zgjatur politik po ju mban pas dhe nuk është i favorshëm për objektivat tuaj strategjik të heqjes së vizave dhe axhendës së reformave”, ishte mesazhi i komisionerit Hahn.

“Për hir të vendit dhe njerëzve tuaj dëshiroj t’i kërkoj opozitës të heqë dorë nga dhuna dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive në debatet e Kuvendit”, thuhet në fund të deklaratës së Hahn.

Deputetët kosovarë u pritën dhe nga nënkryetarja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunaçek, një ditë përpara  mbrojtjes së raportit të saj mbi Kosovën në Komitetin e Jashtëm. 

Top Channel