Kosovë, goditet kontrabanda e barnave; 8 në pranga

27/01/2016 18:00

Policia e Kosovës ka realizuar të mërkurën një operacion të koduar me emrin “Medikamenti”, i cili ka çuar në arrestimin e 8 personave të dyshuar për kontrabandë të medikamenteve.

Policia ka njoftuar se këtë operacion e ka realizuar pas gjashtë muaj hetime intensive, të realizuara nga Sektori i Hetimeve të Departamentit të Policisë Kufitare.

Operacioni policor është ekzekutuar në bashkëpunim me Doganat e Kosovës dhe Inspektoratin për Pajisje e Produkte Medicinale, me ç’rast është bërë bastisja e 17 lokacioneve të ndryshme në rajonin e Prishtinës dhe Pejës.

Gjatë bastisjes, policia ka konfiskuar sasi të mëdha barnash që dyshohet se janë të pakontrolluara dhe të paverifikuara, me prejardhje kryesisht nga Serbia, të kontrabanduara në Kosovë në mënyrë ilegale.

Sipas policisë, të arrestuarit dyshohet se në mënyrë të organizuar dhe në bashkëpunim kanë kontrabanduar barna të ndryshme, duke dëmtuar buxhetin e Kosovës.

Dyshohet se këta persona kanë kryer veprat penale “kontrabandim të mallrave”, “shmangie të pagesës së tarifave të detyrueshme doganore”, “ushtrim të kundraligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike”, “krim të organizuar” dhe “posedim të paautorizuar të armëve dhe municioneve”.

Gjatë kontrollit të lokacioneve janë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë e kalibrit 7.62 mm dhe dy pushkë gjuetie. Operacioni i bastisjeve dhe arrestimet janë kryer me urdhër të prokurorisë, respektivisht Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Top Channel