Perez bllokon merkaton: Ronaldo, pasardhës i Di Stefano

27/01/2016 00:00

Asnjë krizë dhe aq më keq largim potencial i Ronaldos nga Reali i Madridit.

Kush mund të konfirmonte më mirë këtë se presidenti i skuadrës galaktike, Florentino Perez që ka deklaruar gjithashtu se nuk do të ketë transferime gjatë merkatos se janarit, por kjo jo për arsye të dënimit nga FIFA.

Sipas biznesmenit iberik, ky vendim është marrë, pasi Reali ka lojtarët dhe trajnerin më të mirë në botë.

“Ne nuk do të transferojmë asnjë gjatë kësaj merkatoje. Kjo nuk ka të bëjë me dënimin që na është dhënë nga FIFA, por me faktin se ne kemi lojtarët më të mirë dhe trajnerin më të mirë”, tha Perez për “France Football”.

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez ia ka bërë të qartë PSG-së se ylli i skuadrës së tij, Cristiano Ronaldo nuk do të shitet. Sulmuesi portugez prej kohësh është i lidhur me kalimin në PSG, rikthimin në Manchester United si dhe transferimin në Amerikë.

“Cristiano është më i miri në botë dhe është normale të mbetet në klubin më të mirë. Ai është pasardhës i Di Stefanos dhe do të qëndrojë gjatë te Real”, tha Perez.

Presidenti i “blankos” shtoi gjithashtu se tifozët janë dashuruar me Zinedin Zidane në pankinën “merengues”.

Top Channel