Përgatitjet e Portugalisë dhe CR7-s, miqësore me Norvegjinë

27/01/2016 00:00

Do të ketë përballë një kundërshtar më shumë fizik sesa teknik për të kolauduar sa më mirë forcat në prag të Europianit të futbollit 2016 këtë verë.

Portugalia e Cristiano Ronaldos do të ndeshet me Norvegjinë në një miqësore të planifikuar për më 29 maj, 15 ditë para nisjes së turneut kontinental të Francës, ku shihet si skuadër që mund të avancojë të paktën deri në 4 më të mirat.

“Selecao” europiane do të nisë përgatitjet për Euro 2016 me ndeshjen me Bullgarinë, më 25 mars në Leiria dhe më pas me Belgjikën, më 29 mars në Bruksel.

Në kuadrin e grupit F të Euro 2016, ekipi i Portugalisë do të nisë turneun më 14 qershor me ndeshjen ndaj Islandës e më pas me Austrinë dhe Hungarinë.

Gjatë turneut që do të zhvillohet për një muaj në vendin transalpin, formacioni luzitan do të ketë bazën në rrethinat e Parisit, pikërisht aty ku stërvitet zakonisht kombëtarja franceze e regbi.

Top Channel