Kosovë, femrat dhe të rinjtë “të pashpresë”. Ndaj iu bashkohen ISIS

27/01/2016 00:00

Numri i grave kosovare, që i janë bashkuar organizatës xhihadiste të Shtetit Islamik, është shumë shqetësues, por shumica prej tyre janë shtyrë nga bashkëshortët që t’u bashkohen grupeve radikale.

Sipas ekspertëve të sigurisë, por edhe sociologëve, janë të pakta gratë që kanë shkuar të pavarura në Siri apo Irak për t’iu bashkuar ISIS-it. Gazeta “Zëri” në numrin e sotëm shkruan se, pjesëmarrja e mbi 40 grave kosovare në ISIS – po sipas ekspertëve, – po nxitet nga mungesa e perspektivës.

Vetëm arsimimi dhe punësimi – sipas tyre, – do të krijonte mirëqenie dhe stabilitet për të rinjtë në Kosovë, si dhe do t’i frenonte prirjet drejt ISIS-it.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami thotë se, pjesëmarrja e femrës shqiptare në luftërat e huaja është tepër brengosëse dhe – sipas tij, – përgjegjësia kryesore bie mbi institucionet shtetërore, të cilat kanë bërë shumë pak, ose aspak, për femrën në Kosovë. Madje Islami thotë se, edhe ato femra që me aq mund po arsimohen, nuk po kanë vende pune.

“Të pashpresa për një të ardhme më të mirë po iu mbështeten trushpëlarësve, të cilët po u premtojnë një jetë më të mirë në zonat e luftës”, thotë ai.

Islami thotë se, rruga për të ndalur vajtjen në Siri është që institucionet e shtetit, duke filluar nga Presidenca, Qeveria, komunat dhe shoqëria civile, urgjentisht të ndërmarrin hapa të nevojshme që femrës, por edhe të rinjve, t’iu sigurohet një jetë minimale dhe të mos marrin rrugën e pakthim drejt vdekjes së sigurt, duke iu bashkuar ISIS-it apo “Al Nusra”-s.

Top Channel