Kosovë, opozita proteston ndaj qeverisë me bori makinash

27/01/2016 00:00

Të rinjtë e tri forcave opozitare në Kosovë, Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, zhvilluan aksionin “Bjeri borisë kundër qeverisë” në rrugën pranë sheshit “Skënderbeu”, në Prishtinë.

Përkrahës të këtyre subjekteve vendosën një shirit me mbishkrimin “Bjeri borisë kundër qeverisë”, si dhe u shpërndanë fletushka me po të njëjtin mbishkrim, drejtuesve të makinave që po kalonin në rrugën “Agim Ramadani”, të cilët për disa minuta iu përgjigjën kësaj thirrjeje.

Ky aktivitet, sipas të rinjve opozitarë, organizohet si pjesë e aksioneve që i paraprijnë protestës mbarëpopullore të 17 shkurtit, për kundërshtimin e marrëveshjeve për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi.

“Sot dhe çdo ditë, rrugëve të Prishtinës dhe mbarë Kosovës nuk do ketë heshtje, por do të kërkohet dorëheqja e kësaj qeverie”, tha Teutë Rrusta, LVV.

“Në vazhdën e aktiviteteve tona, si rini opozitare, ne edhe njëherë tregojmë se nuk do të qëndrojmë indiferentë ndaj vendimeve antikushtetuese të marra nga qeveria jonë”, tha Fatmir Ahmetaj, AAK.

“Më 17 shkurt do të bëhet Republika dhe qytetarët do t’ia kthejnë sovranitetin këtij vendi”, tha Endrit Hoxha, Nisma për Kosovën.

Opozita ka njoftuar një ditë më parë se, aksione të tilla do të vazhdojnë çdo ditë deri më 17 shkurt kur është parashikuar të zhvillohet protesta.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel