TI: Kosova, asnjë përparim në lidhje me luftën ndaj korrupsionit

27/01/2016 00:00

Instituti Demokratik i Kosovës ka prezantuar Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2015, të përgatitur nga “Transparency International”, ku Kosova nuk ka arritur të shënojë asnjë progres në luftën kundër korrupsionit.

Përfaqësues të Institutit Demokratik të Kosovës, gjatë prezantimit të raportit thanë se, sikurse dy vitet e fundit, Kosova është vlerësuar sërish me 33 pikë, ndërsa është ngjitur nga vendi i 110 në vendin e 103-të, kjo pasi nuk janë futur në raport disa shtete që nuk kanë dërguar të dhëna.

“Nuk besoj se kjo është një surprizë, për shumë nga ne dhe shumë nga ju. Nuk është punuar fare në Kosovë për luftimin e korrupsionit. Kemi pasur një bllokadë në fillim të vitit dhe një tjetër në fund të vitit 2015, gjë që ka rezultuar në një mungesë të përpjekjeve për të luftuar korrupsionin. Në vazhdimësi kemi mungesë të kapaciteteve gjyqësore, mungesë të llogaridhënies, integritetit dhe transparencës, gati në të gjitha nivelet e qeverisjes, në degët ekzekutive. Për këtë arsye, Kosova është në të njëjtin vend, bashkë me Moldavinë dhe Etiopinë”, tha Artan Canhasi nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Edhe Visar Sutaj tha se, ky indeks perceptimi bazohet në opinionet e ekspertëve të korrupsionit të sektorit publik, ndërsa të dhënat e raportit, ai tha se janë marrë nga raportet e Bankës Botërore dhe organizatave të tjera të besueshme. Edhe pse nuk paraqiti asnjë rast konkret të korrupsionit në Kosovë, gjatë vitit 2015, Sutaj tha se vlerësimet janë bërë vetëm në sektorin publik.

“Ajo çfarë është me rëndësi të theksohet, është përkufizimi i korrupsionit. Këto institute hulumtuese vlerësojnë sesa e keqpërdorin zyrtarët publikë autoritetin e tyre, për fitimet e tyre personale. Ky është në fakt edhe përkufizimi i ‘Transparency Internacional’. Pra duhet të theksohet se, këtu po flasim vetëm për sektorin publik, për institucionet publike përfshirë Qeverinë, Kuvendin, institucionet e pavarura dhe institucionet e drejtësisë”, tha Visar Sutaj nga Instituti Demokratik i Kosovës.

KDI u rekomandon institucioneve të Kosovës që të rrisin transparencën dhe llogaridhënien.

Top Channel