Egje, tragjedia e fundit u merr jetën 7 emigrantëve; dy prej tyre fëmijë

27/01/2016 00:00

Shtatë refugjatë, midis tyre dy fëmijë të vegjël, kanë humbur jetën në një tragjedi të re në ujërat detare të Egjeut, që ka ndodhur vetëm 4 km larg kepit Amoglosa në veri të ishullit Kos, ndërsa në zonë mbizotëronin erëra të fuqishme.

Rojet e Marinës Detare kanë gjetur mëngjesin e së mërkurës trupat pa jetë të 7 personave pranë këtij ishulli, ndërsa mësohet se varka e vogël, me të cilën udhëtonin, është përmbysur në ujërat territoriale të Turqisë.

Një nga 9 emigrantët që ndodheshin në varkë, arriti të dalë në bregun e ishullit Kos dhe të kërkojë ndihmë, ndërsa edhe një grua është shpëtuar nga trupat e Marinës turke.

Tragjedia e re ndodhi në një moment, kur Greqia ndodhet nën presionin e disa vendeve të BE-së për të forcuar kontrollin e saj në kufirin me Turqinë, por ndërkohë fluksi i emigrantëve që vijnë çdo ditë nga brigjet turke është i pandalshëm.

“Ne nuk mund t’i lëmë emigrantët të mbyten”, ishte përgjigjja e ministrit grek të Emigracionit, ndaj homologut të tij belg, që deklaroi disa orë më parë se Athina duhet t’i hidhte në det refugjatët duke i detyruar të kthehen pas, deklaratë me të cilën nuk është pajtuar qeveria e Belgjikës.

Sipas Agjencisë Europiane për Ruajtjen e Kufijve “Frontex”, Greqia ka bërë një punë shumë të mirë, por Europa është e përçarë në përballimin e krizës së refugjatëve, që ende mbetet pa zgjidhje.

Në orët e para të mëngjesit, në Portin e Pireut ka mbërritur një anije, që ka sjellë rreth 1000 refugjatë nga ishulli i Lesbosit, të cilët më vonë do t’i drejtohen korridorit ballkanik nëpërmjet kufirit me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

Top Channel