Athina, kundër izolimit nga “Schengen”: S’bëhemi kamp internimi

26/01/2016 00:00

Athina zyrtare, që ka përgënjeshtruar zërat se në Amsterdam, në takimin e ministrave të Brendshëm dhe atyre të Drejtësisë të BE-së, është shtruar zyrtarisht për diskutim izolimi i Greqisë nga zona “Schengen”, ka reaguar nga ana tjetër për deklaratën e ministrit të Brendshëm belg për krijimin e një kampi për 300 mijë refugjatë në kryeqytetin grek, ose në ishujt e Greqisë.

Ministri grek për Emigracionin, Jannis Mouzalas ka deklaruar se, ka hedhur poshtë propozimin, duke kritikuar ashpër edhe një artikull provokues të “Financial Times”, sipas të cilit Greqia mund të shfrytëzojë krijimin e një kampi të tillë për të mbajtur refugjatët që vijnë nga Turqia dhe të kërkojë prej BE-së reduktimin e borxhit.

“Ne nuk mund të bëhemi burgu apo vendi i internimit të Europës përkundrejt pagesës”, ka thënë ai, duke theksuar se shtetet e mëdha të BE-së, si Gjermania, Franca dhe Italia kanë kërkuar më shumë “Schengen” dhe jo një Europë të copëtuar.

“Ne po e shpëtojmë ‘Schengen’-in duke e zbatuar atë”, ka deklaruar edhe zëdhënësi i Komisionit Europian, Margaritis Schinas, duke iu përgjigjur zërave që shprehin shqetësimin se futja e kontrolleve të përkohshme në zonën “Schengen” – një simbol i unitetit europian, lirisë dhe prosperitetit – mund të çojnë drejt kolapsit.

Ndërkohë edhe francezja “Le Monde”, në një artikull të saj i referohet “dëbimit” të mundshëm të Greqisë nga zona “Schengen”.

Sipas ministrit grek për Emigracionin, pavarësisht deklaratave të disa ministrave europianë dhe kërcënimeve për izolimin e Greqisë nga zona “Schengen”, kur kjo marrëveshje duket se është vërtet në rrezik, të gjithë e dinë se çelësin për të frenuar fluksin e pandalshëm të refugjatëve nga Turqia drejt ishujve grekë e mban Ankaraja, e cila ende nuk ka marrë prej BE-së ndihmën e premtuar prej 3 mld eurosh, për të ndihmuar refugjatët që largohen nga zonat e luftës në Lindjen e Mesme dhe Azi.

Ai ka theksuar gjithashtu se, deri më 15 shkurt, Greqia do të ketë gati 5 pikat e saj të pritjes dhe të regjistrimit të emigrantëve në ishujt e saj, siç kanë kërkuar edhe shumica e shteteve të BE-së.

Top Channel