Antalya Cup, Shpresat zhgënjejnë ndaj Azerbajxhanit, mposhten 4-0

26/01/2016 00:00

Prej disa ditësh ekipi Shpresa i Shqipërisë ndodhet në Turqi ku po merr pjesë në turneun Antalya Cup. Dy ndeshjet e para ishin pozitive për ekipin e drejtuar nga Redi Jupi, ndërsa këtë të marta Shpresat u mposht me rezultatin e thellë 4-0 nga Azerbajxhani.

Në pjesën e parë “kuqezinjtë e vegjël” u mbrojtën mirë dhe rezultati ishte 0-0, por fatale rezultuan 45 minutat e dyta, ku Azerbajxhani shënoi 4 herë.

Pas kësaj ndeshje, Shqipëria U-21 ndodhet në kuotën e 4 pikëve, pasi ka arritur një fitore 1-0 ndaj Bahreinit dhe një barazim 1-1 me Arabinë Saudite.

Në këtë turne, ekipi i 21-vjeçarëve të Shqipërisë është i përbërë kryesisht me futbollistë që e veshin për herë të parë bluzën e Shqipërisë, një ndër ta është edhe Jasir Asani, i cili shihet si një talent i padiskutueshëm dhe me një të ardhme të madhe. Ai aktivizohet te Vardari i Shkupit, me të cilët ka realizuar disa gola.

Shpresat e Shqipërisë do të zhvillojnë edhe dy ndeshje në këtë turne, ndaj Ukrainës dhe në fund ndaj Kosovës.

Top Channel