“Gazzetta”: Rashica, ylli botëror i së ardhmes në futboll

26/01/2016 00:00

Çdo ditë e më shumë po flitet për futbollistin 19-vjeçar të ekipit Shpresa të Shqipërisë, Milot Rashica, i cili këtë sezon i ka mahnitur të gjithë në Holandë, por jo vetëm, me golat e shënuar, por edhe me atë që ka treguar gjatë ndeshjeve të Eredivisie.

Deri tani Miloti ka arritur të shënojë 7 gola në Eredivisie, shumë për një futbollist i cili sezonin e kaluar aktivizohej në Kosovë.

Mediat holandeze kanë folur shpesh për yllin që po rritet te Vitesse, një skuadër e mbushur me talente, por shumë prej të cilëve janë të huazuar nga Chelsea. Megjithatë Rashica deri në këtë fazë të kampionatit ka ditur të tregojë vlerat e tij.

Së fundi, Rashica është përfshirë edhe në artikullin e të përditshmes italiane “Gazzetta Dello Sport”, që në suplementin e saj të përjavshëm ka bërë një përzgjedhje të 50 futbollistëve nën 20-vjeç, që do të jenë nesër në elitën e futbollit Botëror. Mes emrave tashmë të njohur në arenën botërore si Donaruma i Milanit, Haliloviç që është blerë nga Barça dhe është huazuar te Gijon, apo Koman, është dhe emri i Milot Rashicës.

Profilin për 19-vjeçarin shqiptar “Gazzetta Dello Sport” e nis me jë ngacmim pët trajnerin e kombëtares shqiptare, De Biasi: “Një Europian si titullar me De Biasin? Është e mundur!”. Më pas theksi vihet te cilësitë e lojtarit: Një anësor sulmi i paparashikueshëm, i cili kalon gjithmonë kundërshtarin në duelet një për një dhe i pëlqen të orientohet drejt qendrës dhe të shpikë. Shpejtësinë dhe rezistencën e Rashicës e vlerëson të nivelit të parë, ndërsa thekson se i feston golat në Eredivisie me shenjën e shqiponjës, në nder të Shqipërisë.

Të shtunën e kaluar, Rashica pati një mundësi të mirë për të treguar vlerat e tij, teksa Vitesse luajti në fushën e Ajaksit. Në pjesën e parë talenti nga Vushtria bëri një paraqitje të mirë, ku me shpejtësinë e tij karakteristike ishte një prej më të spikatur në ekipin e tij. Megjithatë në fundin e takimit, Rashica ishte i pa fat, pasi mbeti i dëmtuar në një përplasje me një lojtar të Ajaksit. Klubi bëri të ditur se Rashicës do ti duhen të paktën 3 javë për t’u rikthyer në fushën e blertë. Një dëmtim i ardhur në momentin më të mirë të 19-vjeçarit shqiptar.

Top Channel