Bosnjë, arrestimi i Radonçiç do të shkaktojë “tërmet”

26/01/2016 00:00

Për ekspertët, arrestimi i Fahrudin Radonçiçit, themelues i një partie të koalicionit qeverisës, e njëkohësisht edhe i gazetës “Dnevni avaz”, do të shkaktojë “lëkundje tërmeti” në Bosnjë-Hercegovinë.

Pas këtij zhvillimi, – thotë “Deutsche Welle”, – duket se të gjitha problemet e tjera të vendit, të paktën për pak kohë do të lihen në harresë. Ndalimi i ish-ministrit të Sigurisë u bë nën akuzën se ka penguar drejtësinë.

Lajmi, që befasoi opinionin publik, u pasua nga njoftimet se zyrtarë të tjerë të lartë në partinë e tij kanë përfunduar gjithashtu në pranga, me dyshimin se kanë penguar procesin e hetuesisë në gjyqin e Naser Kelmendit, që po zhvillohet në Prishtinë.

Procesi gjyqësor kundër Kelmendit, të akuzuar veç të tjerash edhe për tregti droge, ka nisur në 2014-n. Aktpadia e ngritur ndaj tij përmban akuza për krim të organizuar, për vrasjen e Ramiz Dalaliçit, një figurë kryesore në krimin e organizuar pas luftës, për blerje, si dhe për posedim, shpërndarje e shitje të paautorizuar të lëndëve narkotike.

Kelmendi është shtetas i Bosnjë-Hercegovinës. Ai është ndaluar më 6 maj 2013 mbi bazën e një fletarresti ndërkombëtar. Bosnja, ku ky person ishte hetuar për një kohë të gjatë, pati kërkuar dorëzimin e tij pas arrestimit. Por, një gjë e tillë nuk mundi të realizohej, për shkak se vendi nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës, e për rrjedhojë nuk ka një marrëveshje që të lejonte një veprim të tillë.

Rastin e mori përsipër misioni i Bashkimit Europian për sundimin e ligjit, “EULEX”. Arrestimi i njërit prej krerëve më me influencë në Bosnjë-Hercegovinë pritet të shkaktojë tronditje të mëdha në vend. Disa analistë, si Adnan Huskiç, presin luhatje të forta, ndërsa të tjerë thonë se, kjo ngjarje i ka “shkatërruar tërësisht shpresat për stabilizim politik”.

Top Channel