80-vjetori i lindjes së Demaçit, Veseli pret drejtues të të burgosurve politikë

26/01/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli zhvilloi sot një takim me drejtuesit e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës.

Kryetari Veseli dhe drejtuesit e shoqatës diskutuan lidhur me programin për shënimin e 80-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit, e njëkohësisht organizimit të aktiviteteve të tjera që do të zhvillohen gjatë vitit 2016, i cili do të cilësohet si “Viti i Adem Demaçit”.

Të gjitha këto aktivitete do të organizohen me mbështetjen e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, bën të ditur një komunikatë për shtyp e Kuvendit.

Gjatë takimit, kreu i Kuvendit tha se ndihet jashtëzakonisht i nderuar, që institucioni që ai drejton, por edhe institucionet e tjera të vendit kanë mundësinë të bëjnë – siç vlerësoi ai, – një gjë shumë të vogël për njeriun e madh, simbolin e kombit, njeriun e rezistencës, të vullnetit e të shpirtit të kombit tonë për liri dhe demokraci, Adem Demaçi.

“Nëse ka njeri të gjallë mbi këtë tokë, të cilit shqiptarët e Kosovës i kanë borxh për lirinë e tyre, ai është vetëm një: Adem Demaçi. Do t’i japim mbështetje çdo nisme, e cila është në shërbim të këtij emri. Sheshet në tërë Republikën e Kosovës do të marrin emrin e tij. Institucionet e Republikës së Kosovës do të kenë çmim kombëtar me emrin e Adem Demaçit, siç ekziston ai me emrin e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, theksoi kryeparlamentari Veseli ndërsa shtoi se, në kuadër të shënimit të këtij përvjetori do të botohen edhe libra, si dhe do të përgatitet një dokumentar për figurën e Demaçit.

Top Channel