Prishtinë, mbetet ende pezull njohja e diplomave shqiptare

26/01/2016 00:00

Në Kosovë nuk pranohen ende diplomat e universiteteve jo publike shqiptare, edhe pse ekziston një marrëveshje e nënshkuar nga dy ministrat e Arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë në mars të vitit 2015.

E ndërsa zbatimi i marrëveshjes për njohjen reciproke të diplomave mes Kosovës dhe Serbisë nis nga data një mars, marrëveshja me Shqipërinë mbetet ende pezull dhe kjo ka shtuar shqetësimin e të diplomuarve në universitetet jo publike të Shqipërisë.

“Tani është një revoltë edhe më e madhe. qoftë nga ana ime, po ashtu edhe e të gjithë të diplomuarve të universiteteve jo publike të Shqiperisë, por edhe shteteve tjera, që deri më 1 mars duhet të fillojë zbatimi I marrëveshjes së arritur për njohjen e diplomave me republikën e Serbisë. Është e drejtë ligjore, por si mund të thirremi në kombëtarizëm dhe në vlera në shkallën intelektuale, që diploma e shtetit amë të mos njihet, përderisa i detyruar nga forca dhe presione të tjera arrinë të njohësh diploma të të tjerëve”, tha Niman Bardhi.

Prej disa muajsh, të diplomuarit kërkojnë të drejtën e tyre dhe disa herë Top Channel e ka trajtuar këtë çështje, duke marrë të njëjtën përgjigje se kjo ishte vetëm çështje ditësh.

“Ministria e Arsimit është pothuajse në fazën finale të përgatitjeve teknike operative për njohjen e këtyre diplomave, rast pas rasti dhe mendojmë që është cështje ditësh fillimi i njohjes së këtyre diplomave”, ka thënë më 4 nëntor 2015 Faton Fetahu, këshilltar i ministrit, MASHT.

Por e njëjta përgjigje u është dhënë të interesuarve edhe më datë 25 janar 2016.

“E njejta gjë ka ndodhur edhe dje kur kam biseduar me z.Faton në telefon dhe më thotë që cili është qëllimi juaj që po na bëni kaq presion të madh përderisa jemi zotuar që kjo punë do të përfundojë, por që kemi edhe angazhime tjera dhe njëherit pse nuk keni bërë presion edhe në kohën e ministrit të mëparshëm”, tha Niman Bardhi, përfaqësues i të diplomuarve në universitetet private në Shqipëri.

Ndërsa, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë, Arsim Bajrami, është përgjigjur shkurt përmes telefonit për Top Channel, duke thënë se udhëzimi administrative është përfunduar nga ana e ministrisë dhe i njëjti pritet që javën e ardhshme të procedohet për miratim në qeveri. Megjithatë, rreth 2000 të diplomuar në universitetet jo publike në Shqipëri, kanë paralajmëruar protestë para ministrisë së Arsimit në Prishtinë, e cila do të mbahet brenda kësaj jave.

Deri tani vonesat janë përligjur me arsyetimin e procedurave ligjore pasi Kosova është antare agjencisë europiane të akreditimit për sigurinë e cilësisë në arsimin e lartë (Enqa) ndërsa Shqipëria nuk është antare dhe zgjidhja mbetet në përputhjen e udhëzimeve administrative për njohjen e diplomave në marrëveshje ndërshtetërore me palët e treta. Të diplomuarit kanë zhvilluar takime edhe me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, i cili disa herë i ka kërkuar qeverisë së Kosovës që kjo çështje të zgjidhet.

Top Channel