Lugina kërkon përfshirjen në dialogun Kosovë-Serbi

26/01/2016 14:25

Përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të bëhen pjesë e dialogut me Serbinë dhe të kërkojnë të drejta nga Serbia, siç u ka dhënë Prishtina të drejta serbëve që jetojnë në Kosovë.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Jonuz Musliu, i shoqëruar edhe nga kryetarët e Komunave të Preshevës dhe Bujanocit kërkuan nga Qeveria e Kosovës që të kërkojë më shumë të drejta për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Unë mendoj që doemos, duhet të jetë Qeveria e Republikës së Kosovës në Bruksel të kërkojë të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Në mënyrë reciproke të zgjidhen problemet, sikur serbët në Kosovë natyrisht edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës. Derisa serbët e Kosovës i kanë të gjitha tekstet mësimore nga Serbia, pse mos t’i kenë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe tani është momenti, është koha. Në shekullin 21 mos të ketë tekste mësimore në Luginë të Preshevës?! Kjo është absurde”, thotë Jonuz Musliu, Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës.
   
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, përfaqësuesit e Luginës së Preshevës janë pritur nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Kulturës, Kujtim Shala, me të cilin edhe nënshkruan një memorandum bashkëpunimi në fushën e kulturës. 
“Këto memorandume kapin programe që shtrihen në tri vitet e ardhshme dhe janë në vlerë rreth 450 mijë euro. Ne kemi qëllimin që çdo vit t’i rishikojmë dhe ta rishikojmë në tërësi vitin e fundit, që pastaj kur të përsërisim të shohim së në cilat fushat kanë ecur më mirë dhe mundësitë që ato të zgjerohen edhe në fusha tjera”, deklaroi ministri Shala. 

Me këtë rast, përfaqësuesit e Luginës u kanë bërë thirrje dy qeverive në Prishtinë dhe Tiranë që të ndihmojnë më shumë shqiptarët në Luginë. 

Pas qëndrimit në Prishtinë, delegacioni i Luginës së Preshevës do të udhëtojë për në Strasburg, ku më 27 janar do të kenë një takim me përfaqësues të Komisionit të Lartë për të Drejtat e Njeriut, për të diskutuar për të drejtat e shqiptarëve në Luginë dhe për gjendjen ekonomike e sociale.

Top Channel