Kosovë-Serbi, njohja e diplomave nis nga 1 marsi

25/01/2016 00:00

Gjatë javës së kaluar në Bruksel, delegacionet e Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian kanë arritur pajtimin, që marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave të fillojë zbatimin më 1 mars 2016, siç njofton Qeveria e Kosovës në një komunikatë për shtyp.

Marrëveshja për diplomat vlen vetëm për ato që janë marrë nga universitetet e akredituara në shtetet përkatëse, Kosovë dhe Serbi.

Duke marrë parasysh se, kjo marrëveshje është veçanërisht e rëndësishme për shqiptarët e Luginës së Preshevës, ministrja Edita Tahiri ka thënë se, njohja reciproke e diplomave mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë ka një rëndësi të madhe për to, sepse shumica e tyre kanë studiuar dhe janë diplomuar në Kosovë, ndaj dhe u duhet kjo njohje e diplomave, në mënyrë që të kthehen në vendlindje për të ndihmuar zhvillimin e komunitetit etnik shqiptar atje, duke u angazhuar në jetën institucionale dhe sidomos në fushën arsimore për të përgatitur gjeneratat e reja.

Ajo ka inkurajuar kuadrot universitarë që të kthehen në Luginën e Preshevës, sepse brezi i shkolluar ka detyrim t’i shërbejë kombit për të zhvilluar dhe forcuar shqiptarët. Kuadrot e shkolluar, duke u kthyer në vendlindje japin ndihmën më të mirë për zhvillimin dhe emancipimin politik, shoqëror dhe ekonomik të një kombi, ndaj dhe kjo është mënyra e duhur për të penguar shpërnguljen e shqiptarëve nga Lugina e Preshevës.

Politikat diskriminuese të Serbisë ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës luftohen më së miri përmes shkollimit dhe shërbimit në interes të shqiptarëve.

Njohja reciproke e diplomave bëhet përmes procesit të certifikimit ndërkombëtar të diplomave nga një palë e tretë dhe, në këtë rast, këtë certifikim do ta bëjë Asociacioni i Universiteteve Europiane (European Association of Universities – EAU), e më pas diplomat e certifikuara konsiderohen të njohura nga të dyja shtetet.

Njohja e diplomave është e ndarë në dy grupe, në njohjen profesionale dhe akademike. Pas certifikimit ndërkombëtar, njohja profesionale do të realizohet nga institucionet e shteteve përkatëse në një afat prej 90 ditësh dhe me një pagesë prej 50 eurosh, apo në valutë tjetër ekuivalente me shumën prej 50 eurosh.

Njohja profesionale e diplomave do të shërbejë për qëllime punësimi, duke përfshirë edhe punësimin në institucionet qeveritare në shtetin përkatës. Njohja akademike e diplomave do t’iu shërbejë studentëve për të vazhduar studimet e mëtejshme në shtetin përkatës, ku procedurat do të realizohen nga secili institucion i arsimit të lartë i shtetit përkatës, të cilës i drejtohet aplikuesi dhe afati i realizimit të njohjes është 5 muaj.

Po ashtu, të gjithë kandidatët, të cilët kanë kryer tashmë procedurat e njohjes nga Asociacioni i Universiteteve Europiane (EAU) munden menjëherë pas 1 marsit 2016 të aplikojnë për njohje nga institucionet e larta arsimore të shtetit përkatës. Kandidatët, gjatë aplikimit për njohje duhet të theksojnë se çfarë njohje dëshirojnë, profesionale apo akademike. Të gjitha udhëzimet për procedurat do të merren nga zyra implementuese, përkatësisht zyrat e SPARK-ut në Kosovë dhe në Serbi.

Qeveria e Kosovës do të publikojë së shpejti një udhëzues të hollësishëm për t’i njoftuar të interesuarit me procedurat e aplikimit për njohje.

Top Channel