Dialogu, Mustafa do të shkojë në Bruksel për takimin me Vuçiç

25/01/2016 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka vendosur të shkojë në Bruksel për t’u takuar me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiç, pavarësisht deklaratave të tij se nuk do të merrte pjesë në dialog, pa iu ofruar Kosovës liberalizimi i vizave.

Top Channel ka mësuar se, Mustafa do të udhëtojë drejt Brukselit të martën pasdite, pasi takimi me kryeministrin serb dhe përfaqësuesen e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, do të zhvillohet të mërkurën në mëngjes.

Mësohet se, për praninë e Mustafës në takimin e parë të dialogut në nivel kryeministrash për vitin 2016 është kujdesur edhe vet ndërmjetësja Mogherini.

Në këtë takim nuk pritet të diskutohet për ndonjë temë të re apo marrëveshje, por do të diskutohen të gjitha arritjet dhe ngecjet në dialogun e deritanishëm.

Edhe pse Qeveria e Kosovës nuk ka njoftuar zyrtarisht për udhëtimin e Mustafës në Bruksel, ministri i Integrimit Europian, Bekim Çollaku ka deklaruar gjatë një raportimi në Kuvend se, kryeministri kosovar do të udhëtojë dhe do të marrë pjesë në dialogun e Brukselit.

Çollaku tha se nuk dëshiron t’i komentojë deklaratat e kryeministrit, për kushtëzim të dialogut me liberalizim të vizave, por – sipas tij, – kur nisi dialogu në Bruksel, palët kanë rënë dakord që askush nuk mundet të vendosë kushte në dialog.

Top Channel