Australian Open, eliminohet Wawrinka; Raonic në çerekfinale

25/01/2016 10:50

Stanislas Wawrinka i thotë lamtumirë turneut Australian Open. Tenisti zviceran, fitues i këtij aktiviteti në vitin 2014, u mund në raundin e katërt nga Milos Raonic me rezultatin 3-2, pas 3 orë e 44 minutash lojë.

Kanadezi, i cili nuk e kishte mundur kurrë më parë Wawrinkën, në këtë ndeshje shënoi 24 “ace” dhe 82 pikë fituese dhe tashmë e sheh veten në çerekfinalen e Australian Open për të dytin vit radhazi.

Raonic ishte superior ndaj Wawrinkës në dy setet e pare, të cilët i fitoi 6-4 dhe 6-3, por numri 4 i botës u rikthye në lojë duke fituar dy të tjerët 7-5 dhe 6-4, për ta çuar ndeshjen në set final.

Në këtë moment Raonic u shfaq sërish më mirë se Wawrinka dhe e fitoi këtë fraksion të lojës 6-3 dhe krejt ndeshjen 3-2. Në çerekfinale, Raonic do të përballet me Gael Monfis, i cili eliminoi Kuznetsov 3-1.

Në kampin e femrave, Viktoria Azarenka bëri detyrën në sfidën me Barbara Stricova, duke e fituar atë me rezultatin 2-0. Tenistja bjelloruse, 2 herë fituese e Australian Open, u kualifikua për në fazën çerekfinale të këtij turneu për herë të pestë në karrierën e saj. Ish-numri 1 i botës ishte dominuese në përballjen me Stricovën, duke i fituar setet e takimit 6-2 dhe 6-4 në 1 orë e 26 minuta lojë.

Kundërshtarja e radhës për Azarenkën, e cila kërkon titullin e tretë në Melburn është Angelika Kerber, e cila mposhti Anika Bek 2-0 (6-4 dhe 6-0).

Top Channel