KEK, ndotësi më i madh në Kosovë. Pasojat, në Obiliq dhe Prishtinë

24/01/2016 00:00

“Pak kilometra larg kryeqytetit janë termocentralet e Koorporates Elektroenergjetike të Kosovës, që njihen si ndotësit më të mëdhenj të ajrit në këtë zonë. Pluhuri i liruar nga to mund të vërehet edhe me sy të lirë, veçanërisht në ditë dimri, kur ai krijon një shtresë të zezë mbi borë”.

Banorët e Obiliqit janë ata që vuajnë më së shumti pasojat nga këto termocentrale që i japin energji Kosovës, që – sipas tyre, – janë shkaktarët e sëmundjeve dhe vdekjeve të parakohshme të banorëve të zonës.

“Ne jemi lagjja më e ndotur në Europë besoj, jo vetëm në Kosovë. Tani së fundi patëm një fqinj që ka ndërruar jetë nga kanceri në moshën 52-vjeçare. Secili nga ne këtu po vdesim nga kanceri”, tha Nasuf Hoxha, banor i Obiliqit.

“Ka shumë sëmundje të frymëmarrjes për shkak të dy termocentraleve. Askush nuk ndërmerr asgjë, as komuna, as qeveria. Ne jemi në mes të të dyjave, termocentralit B dhe atij A, e kjo gjë na shkakton shumë probleme. Era që çlirohet nga ‘Kosova A’ është shumë e dëmshme”, tha një tjetër banor i Obiliqit.

Edhe pse KEK-u ka vendosur filtra në oxhaqet e termocentraleve, kohë pas kohe, prej tyre del tym me ngjyrë. E kjo, sipas një punëtori të KEK-ut, i cili nuk deshi të flasë para kamerave, ndodh pasi fiken filtrat në mënyrë që të rritet prodhimi. Sipas tij, filtrat fiken kryesisht gjatë natës, në mënyrë që të mos vërehet nga banorët.

Këto termocentrale, për shkak të distancës së vogël ndotin edhe ajrin e kryeqytetit, Prishtinë. Ndotja madje mund të shihet qartë në ditë me mjegull, e cila e mban të bllokuar shtresën e grimcave të papastra në ajër.

Komuna e Prishtinës ka filluar një projekt nga 21 dhjetori, për matjen e ndotjes së ajrit në 6 pika urbane të kryeqytetit. Nga matjet e para del se, në këto pika ka tejkalime të dioksidit të karbonit dhe monoksidit të karbonit.

“Janë 10 paramentra gjithsej që ne masim. Kryesisht ka tejkalime në parametrat e monoksidit të karbonit dhe dioksidit të karbonit. Tejkalime në këto dy parametra ka posaçërisht në pika kulminante prej orës 12:00-13:00. Nuk mund të themi se tejkalimet janë në masë tragjike, mirëpo ka tejkalime të dukshme bazuar në standardet dhe rregullativin e BE-së”, tha Muhedin Nushi, drejtor në Drejtorinë e Administratës, Komuna e Prishtinës.

“Dioksidi dhe monoksidi i karbonit, por edhe dioksidi i sulfurit, padyshim janë emetime shumë të rrezikshme në ajër, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e njeriut, posaçërisht në rrugët e frymëmarrjes dhe organin mushkëri”, tha Agron Bektashi, drejtori i Qendrës Rajonale të Mjedisit.

Drejtori i Qendrës Rajonale të Mjedisit thotë se, duhet të merren masa nga institucionet përgjegjëse, fillimisht duke monitoruar ndotësit më të mëdhenj, e më pas duke vepruar me hapa konkretë.

“Vendosja e filtrave në oxhaqet ku prodhohet energji elektrike është parësore. Së dyti, ngrohtorja e Qytetit, që prodhon një ndotje të madhe, për të cilën unë nuk kam aspak njohuri nëse ka ndonjë filter apo jo, a po monitorohet ajo ndotje apo jo. Së treti është sasia e madhe e makinave, për të cilat ndoshta është afati i fundit që Komuna e Prishtinës të marrë ndonjë aksion, për të zvogëluar këtë trafik të rënduar të pranishëm në kryeqytet”, tha Agron Bektashi.

Sipas Bektashit, ndotës të tjerë që nuk duhen neglizhuar në Prishtinë janë edhe vendgrumbullimet e hapura të mbeturinave.

Top Channel