Kupa e Shqipërisë, Laçi shkëlqen, debutim i hidhur për Agostinelin

23/01/2016 16:05

Laçi ka marrë epërsinë në përpjekjet për të fituar trofeun e dytë për nga rëndësia në futbollin shqiptar, duke mposhtur 2-0 Partizanin në çerekfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë.

Kurbinasit ishin skuadra më e mirë në sfidën e mbyllur në favor të tyre, duke sjellë një debutim të hidhur për trajnerin e të kuqve, Agostineli, por duke i dhënë edhe suksesin e parë Stavri Nicës në këtë pankinë.

Një pjesë e parë energjike, me disa ndërhyrje të ashpra u verifikua në Laç, ndërsa skuadrat shkuan në pushim me rrjeta të paprekura. Rinisja e lojës solli avantazhin e vendasve, me autor Xhejms Adeniji. Sulmuesi nigerian mposhti portierin Hoxha me një goditje të bukur, pasi kishte marrë më parë topin në një aksion personal.

Futbollisti me ngjyrë ishte autor edhe i golit të dytë në portën e kryeqytetasve, në një veprim të ngjashëm me supremacinë e minutës së 49. 2-0 për Laçin që shkon në avantazh në ndeshjen e kthimit.

Të dielën në orën 14.00 Vllaznia do të përballet me kampionët e Skëndërbeut, ndërsa në orën 17.00 në Vlorë, Flamurtari i prurjeve të shumta të merkatos së janarit do ndeshet me Tiranën.

Top Channel