I ftohti në Gjakovë i merr jetën foshnjës 3-muajshe. Familja akuzon Komunën

23/01/2016 00:00

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherësh përfaqësues i komunitetit egjiptian në Kosovë, Veton Berisha, ka reaguar pas vdekjes së një foshnje 3-muajshe në Gjakovë. Berisha iu ka bërë thirrje të gjitha institucioneve relevante që njëherë e përgjithmonë ta trajtojnë të barabartë komunitetin egjiptian.

“Nuk kemi nevojë për dokumente strategjike gjoja për integrimin e pakicave veç sa për promovim ndërkombëtar, por i ftoj realisht dhe pa politika tinzare që njëherë e përgjithmonë të mbështetet komuniteti egjiptian dhe të na mundësojnë të jetojmë me dinjitet sepse këtë e kemi merituar”, ka thënë ai.

Djali tremuajsh i Ali Manxhukit ka vdekur të premten në lagjen “Ali Ibra” në Gjakovë. Babai i foshnjës thotë se djali i tij ka vdekur si pasojë e së ftohtit, pasi shtëpia ku ata jetojnë nuk i plotëson kushtet për jetuar.

Nëpërmjet një reagimi për media, Komuna e Gjakovës ka sqaruar se për vdekjen e foshnjes tremuajshe ka mësuar përmes raportimit nga mediat.

“Duke shprehur keqardhje, për të mos ardhur deri te keqkuptimet lidhur me tragjedinë e familjes, Komuna e Gjakovës sqaron për opinionin publik se familja Manxhuki ka ardhur nga Komuna e Prizrenit para tri viteve dhe është vendosur ilegalisht në një shtëpi të vjetër në lagjen ‘Kolonia’, pjesë kjo që deri vonë ka qenë banim joformal për banorët e komunitetit RAE”, thuhet në komunikatën e komunës së Gjakovës.

“Nga familja Manxhuki në Komunën e Gjakovës nuk është parashtruar asnjë kërkesë për strehim, por as për ndihma në lëndë djegëse dhe veshmbathje. Gjatë periudhës së erërave të fuqishme që goditën Gjakovën më 11 dhe 12 janar, familjes Manxhuki i është dëmtuar çatia e shtëpisë, ku gjatë natës nuk e kanë vënë re dhe si pasojë fëmija është lagur nga reshjet. Që nga ajo datë, nga familja Manxhuki nuk ka paraqitur askush kërkesë për ndihmë në Komunën e Gjakovës” sqaron komuna.

Top Channel