Kërkesa e BE, Kosova bën ndryshime në Ligjin e Prokurorimit

22/01/2016 00:00

Ende pa i bërë një muaj prej se ka hyrë në fuqi Ligji i ri i Prokurorimit në Kosovë, Bashkimi Europian i ka kërkuar Qeverisë në Prishtinë që sërish ta ndryshojë atë me urgjencë.

Pjesa e ligjit, siç e kishin miratuar Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, kishte parashikuar që anëtarët e Organit Shqyrtues të Prokurimit të propozohen nga Qeveria dhe të zgjedhen nga Kuvendi, por në rast të shkeljeve ligjore anëtarët e këtij organi mund të pezulloheshin.

Por, Brukseli ka kërkuar nga Prishtina që të ndryshojë këtë pjesë të ligjit dhe të ashpërsojë sanksionet për anëtarët e Organit Shqyrtues të Prokurimit që njihet ndryshe edhe si “Gjykata e tenderëve”.

Bashkimi Europian ka kërkuar që ligji të saktësojë qartë se nëse ndaj një anëtari të OSHP-së në Kosovë ngritët një aktakuzë, ai menjëherë të shkarkohet sipas procedurave që është emëruar.

Pas një debati të ministrave për nevojën e ndryshimit të kësaj pjese të ligjit, kryeministri Isa Mustafa propozoi dhe u miratua ndryshimi sipas kërkesës së Brukselit.

“Nëse shkojmë për nene, tek neni 3, pika 1, Bordi i OSHP-së përbëhet prej 5 anëtarë, që këtu është ‘emërohen’, do të thotë që zgjedhen prej një mandat prej pesë vjet, pa drejtë rizgjedhje, në qoftë se kështu është qëndrimi edhe i BE-së dhe të tjerat mbesin njëjtë. Tash tek neni 101, nëse një anëtar i OSHP-së i nënshtrohet një procedure gjyqësore në të cilën akuzohet për vepër penale apo nëse ka kryer ndonjë vepër që bie ndesh me etikën profesionale, u propozua që mos të jetë ‘mund të’ por të jetë ‘largohet’. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me largim por kemi të bejmë me shkarkim sepse Kuvendi e shkarkon apo e pezullon. Tash tek çështja e pezullimit ajo është çështje e cila nuk bëhet sepse ata janë që zgjedhen dhe shkarkohen sepse nuk ka kategori të pezullimit për ta”, tha kryeministri Mustafa.

Në mbledhjen e së premtes, kabineti qeveritar ka miratuar edhe lidhjen e marrëveshjes së instrumentit për asistencë të para-anëtarësimipër fondet IPA 2015 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian si dhe ka shpallur zonën përreth shpellës së Gadimes si zonë të veçantë.

Top Channel