Kosovë, Kuvendi nuk do të mblidhet në javën e parë të shkurtit

22/01/2016 14:00

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, edhe pas dy orë diskutimesh, nuk ka vendosur për datën e mbajtjes së seancës së parë plenare për vitin 2016.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se Kryesia do të mblidhet edhe njëherë në fillim të muajit shkurt për të ftuar seancën plenare, pasi sipas tij deri atëherë shumë deputetë do të jenë në udhëtime zyrtare jashtë vendit.

Ai tha se Kuvendi është i vendosur të vazhdojë punën me racionalitet, duke shmangur dhunën që ka ndodhur vitin e kaluar dhe duke dialoguar me opozitën.

“Me mirëkuptim të përbashkët, Kuvendi do të vazhdojë punën e vet, në respektim të të gjitha procedurave, rregullores dhe kushtetutës. Në të njëjtën kohë, komunkimi politik do të vazhdojë mes nesh, gjithsesi edhe me opozitën”, u shpreh kreu i Kuvendit.

Pas kryeparlamentarit Veseli, përfaqësuesja e opozitës në Kryesi, Aida Dërguti, tha se Kuvendi me përbërjen aktuale nuk ka legjitimitet që të vazhdojë edhe më tej, pasi sipas saj, ky Kuvend e ka mbështetur një qeveri e cila ka shkelur kushtetutën.

“Ne mendojmë që ky Kuvend ka lejuar dhe mbështetur një qeveri e cila ka sjellë marrëveshje të cilat janë në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës. Ne mendojmë se ka humbur legjitimitetin e zgjedhjes së Presidentit. Prandaj, nuk është urgjente zgjedhja e presidentit. Duhet të shkojmë sa më herët në zgjedhje. I vetmi dialog i mundshëm që do të duhej të ishte tani është për caktimin e datës së zgjedhjeve”, tha Dërguti.

Në mbledhjen e së premtes, Kryesia e Kuvendit ka diskutuar dhe i ka dhënë mbështetje Komisionit për Zhvillimin Ekonomik për përshpejtimin e hartimit të strategjisë për kombinatin metalurgjik “Trepça”.

Po ashtu, Kryesia ka propozuar që 5 shkurti të shpallet si Ditë nacionale e Bamirësisë, për nder të figurës së Nënës Terezë.

Top Channel