Basha përkujton Rugovën: Askush nuk mund t’i mohojë shtatoren në Tiranë

21/01/2016 00:00

Në 10-vjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar se vizioni dhe vendosmëria e tij, janë guri i themelit mbi të cilin u ngrit shteti i pavarur i Kosovës.

“Me mirënjohje përkujtojmë sot Presidentin Ibrahim Rugova, liderin vizionar, nismëtarin e lëvizjes madhore për liri, arkitektin e Kosovës së pavarur. Nuk ka lajm më të mirë që mund t’i jepej Kosovës në këtë ditë se miratimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit nga Parlamenti Europian, duke e sjellë një hap përpara drejt bashkimit me familjen europiane, një hap më pranë realizimit të ëndrrës dhe vizionit të Presidentit Ibrahim Rugova”, thotë Basha.

Kreu i demokratëve shton: “Në këtë ditë do të doja shumë që Tirana, kryeqendra e kombit të kishte shtatoren tashmë gati të Presidentit Rugova. Vendosja e kësaj vepre mund të vonohet, por askush nuk do t’ia mohojë dot Tiranës përjetësim e mirënjohjes mbarëkombëtare për veprën e pavdekshme të Presidentit Ibrahim Rugova”.

Top Channel