Kush është Oliver Ivanoviç

21/01/2016 16:05

Politikani serb i veriut të Mitrovicës, Oliver Ivanoviç, që u dënua me 9 vjet burg për krime të kryera ndaj shqiptarëve gjatë dhe pas luftës, ka bashkjetuar dhe punuar me shqiptarët dhe ndërkombëtarët në Kosovë që nga paslufta.

Ivanoviç ka lindur më 1 prill 1953 në fshatin Rezniq të komunës së Deçanit, ndërsa shkollimin fillor dhe të mesëm e ka kryer në Mitrovicë. Ai ka nisur studimet në Akademinë Ushtarake në Zagreb, por i ka ndërprerë ato për të vazhduar në Fakultetin e Ekonomisë në Prishtinë.

Para luftës në Kosovë, Ivanoviç ka punuar nëpër disa ndërmarrje serbe, ndërsa ishte shquar si arbitër ndërkombëtar i karatesë, ku mbante edhe brezin e zi.

Pavarësisht ngjarjeve të luftës dhe pozicionit të tij ndaj shqiptarëve, Ivanoviç, i cili flet rrjedhshëm gjuhën shqipe, u përfshi në politikë dhe më 2001 arriti të bëhet deputet i Kuvendit të Kosovës, ndërsa deri më 2007 ai ka qenë edhe anëtar i Kryesisë.

Gjatë gjithë kohës sa ishte në institucionet e Kosovës para shpalljes së pavarësisë, ai prezantohej si politikan serb i moderuar dhe angazhohej për integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Ai merrte pjesë nëpër të gjitha debatet dhe në shumicën prej tyre fliste vetëm në gjuhën shqipe.

Por menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, ai sikur edhe serbët e tjerë të veriut në atë kohë, u tërhoq nga institucionet e Kosovës, ndërsa më 2008 kandidoi për deputet në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, përkrah presidentit të atëhershëm serb Boris Tadiç.

Pas këtyre zgjedhjeve, Ivanoviç u emërua sekretar në Ministrinë për Kosovën dhe në qeverinë e Serbisë. Ai mbajti këtë post deri më 2012, ndërsa pas marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel ai ishte i favorizuari i Serbisë për t’u emëruar shef i zyrës ndërlidhëse të Beogradit në Prishtinë, por në fund ai nuk e pranoi këtë detyrë.

Duke parë se Serbia pranoi marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Serbinë dhe lejoi serbët e veriut të fillojnë integrimin në institucionet e Kosovës, Ivanoviç do të bënte përpjekjen tjetër politike që të futej në politikën kosovare.

Ai formoi më 2013 një parti politike me emrin “Serbia, drejtësia, demokracia”, ndërsa në nëntor të po atij viti kandidoi për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut, por u mund nga bashkëkombasi Kërstimir Pantiç nga Lista Serbe, të cilin e mbështeti qeveria e Serbisë.

Menjëherë pas humbjes së tij në zgjedhjet lokale, më 27 janar të vitit 2014 Prokuroria Speciale e EULEX-it urdhëroi arrestimin duke i ngritur aktakuzë për krime lufte të kryera ndaj civilëve shqiptarë në vitet 1998 dhe 1999.

Top Channel