FA Cup, Tottenham e Liverpool në raundin e 4-t

21/01/2016 00:00

Në 90 minutëshin e dytë ndaj Tottenham në FA Cup, Leicester nuk ka mundur të rezistojë dhe të tregojë paraqitjen e bërë deri tani në Premier League, duke u mundur 0-2 në fushën e tij nga “gjelat”.

Tottenham dominoi kundërshtarin në “King Power Stadium” për të prerë biletën e raundit të ardhshëm edhe pse sfida e parë ishte mbyllur në barazim 2-2. Në minutën e 39 të pjesës së parë, Son Heung-min bëri gjithçka mirë nga e djathta e sulmit duke shënjestruar portën me një goditje të kalibruar që nuk i dha asnjë mundësi portierit Schmeichel.

Me fillimin e pjesës së dytë loja u duk e ekuilibruar dhe rastin e parë të vërtetë e krijoi Harry Keane që vetëm pak sekonda pas futjes në lojë goditi me të djathtën në minutën e 62-të por gardiani danez i mohoi golin e parë personal. 4 minuta më pas, Chadli përfitoi nga një asist i Son duke shënuar edhe golin e dytë të takimit.  Në fazën e katërt, Tottenhami do të ndeshet me skuadrën e Colchester.

Ndërsa, Liverpool nuk e pati të vështirë në ndeshjen e kthimit ndaj Exeter City nga kategoria e katërt, duke fituar lehtësisht 3-0. Autor të golave në “Anfield Road” ishin Allen, Ojo dhe Joao Carlos.

Për të siguruar kualifikimin në 1/8-at, Liverpooli do të ndeshet me londinezët e West Ham në fazën tjetër.

Top Channel