Kupa e Italisë, Juventusi kalon Lacion dhe gjen Interin në gjysmëfinale

20/01/2016 00:00

Inter-Juventus do të jetë ‘finalja’ e parakohshme e Kupës së Italisë. Pas zikaltërve të Mancinit, mbrëmjen e së mërkurës i ka takuar Juventusit të sigurojë biletën për në gjysmëfinalen e këtij kompeticioni pasi mundi në transfertë 0-1 Lacion.

Për skuadrën kryeqytetase, kampionët bardhezi vazhdojnë të mbeten një tabu, pasi në 13 ndeshjet e fundit direkte nuk kanë arritur të marrin asnjë fitore.

Golin e fitores për Juven e shënoi Lihshtajner në minutën e 66, i cili falë dhe ndihmës së teknologjisë, arriti t’i gëzohet golit të parë ne Kupën e Italisë me fanellën e Juventusit. Lihshtajner shënoi pasi topi më parë ishte përplasur në shtyllë dhe më pas u kthye në këmbët e tij, goditja e të cilit më pas u prit nga portieri Berisha, por pasi topi kishte kaluar vijën fatale.

Tashmë Juventusi do të ndeshet në gjysmëfinale me Interin e kualifikuar një ditë më parë ndaj Napolit, ndërsa gjysmëfinalja tjetër e Kupës së Italisë është ajo ndërmjet Milanit dhe Alesandrias.

Top Channel