Presioni, Van Gaal mund të lërë “djajtë” në qershor

20/01/2016 00:00

Luis van Gaal mund të japë dorëheqjen e tij si trajner i Manchester United në fund të këtij sezoni, ndërkohë që kontrata e tij me “djajtë e kuq” skadon në vitin 2017.

Sipas asaj që publikohet në median britanike, familjarët e teknikut 64-vjeçar janë të shqetësuar për shkak të presionit që po ushtrohet mbi të dhe për këtë arsye po e këshillojnë që të largohet nga “Old Trafford”.

Në fakt, Van Gal e la të nënkuptohet marrjen e vendimit për dorëheqje edhe muajin e kaluar kur United nuk shënoi asnjë fitore në 8 ndeshje të luajtura, madje nuk kanë munguar as polemikat me median dhe në disa raste holandezi është larguar nga konferencat e shtypit në formë proteste.
 
Nëse 64-vjeçari do të largohet në muajin qershor atëherë ai që ka më shumë mundësi të marrë vendin e tij është Jose Mourinho që prej kohësh po e ndjek situatën te “djajtë e kuq”.

United për momentin është në vendin e pestë në Premier League me 7 pikë më pak se kryesuesit e Arsenalit. Ndeshja e radhës së skuadrës angleze do të jetë ajo e së shtunës me Southampton në “Old Trafford”.

Top Channel