NBA, Milwaukee mposht Miami Heat

20/01/2016 00:00

Miami Heat dështon në ndeshjen e radhës në NBA. Në “American Airlines Arena”, skuadra nga Florida u mund nga Milwaukee 79-91 duke pësuar humbjen e dytë radhazi dhe të 19 sezonale.

Për Milwaukee 22 pikët e Middleton patën më shumë ndikim në rezultatin përfundimtar të takimit se 23 të Chris Bosh dhe Uajtsajd. Me këtë disfatë, Miami e sheh veten të zbresë në vendin e gjashtë në Konferencën e Lindjes, ndërkohë që Milwaukee është në pozicionet e fundit në këtë klasifikim me 19 fitore dhe 25 humbje.

Oklahoma City fitoi një tjetër ndeshje. Këtë radhë skuadra e Thunder mposhti Denver Nuggets 110-104 duke u konfirmuar si forca e tretë e Konferencës së Perëndimit.
 
Për Denver, Galinari shënoi 27 pikë, por kjo nuk i mjaftoi kësaj skuadre për të mposhtur Oklahoman që u bazua te loja e Kevin Durant dhe Russel Westbrook.

Në ndeshjet e tjera të NBA, New Orleans iu fal 35 pikëve të Antony Davis për të fituar ndaj Minnesotas 114-99, ndërsa Indiana Pacers mposhti Phoenix 97-94.

Top Channel