“Australian Open”, kualifikohen Federer dhe Uilliams

20/01/2016 00:00

Dita e tretë e “Australian Open” nuk shkaktoi asnjë befasi. Tenistët pretendentë për fitoren e turneut u kualifikuan pa shumë probleme për në raundin e tretë të tij.

Kampionia në fuqi, Serena Uilliams u përball me tajvanezen Su-Vei ndaj së cilës dominoi totalisht. Tenistja amerikane që kërkon trofeun e 22 Grand Slam në karrierë shpenzoi vetëm 60 minuta në përballjen me Su-Vei për të fituar takimin në 2 sete 6-1 dhe 6-2.

Me shumë lehtësi fitoi edhe Maria Sharapova ndeshjen e saj me Sasnioviç. Tenistja ruse, finaliste e vitit të kaluar në Melburn, arriti të mposhtë në shumë pak kohë bjellorusen duke e fituar sfidën në 2 sete 6-2 dhe 6-1.

U kualifikua për në raundin e tretë spanjolla Carla suarez Navarro, ndërkohë që Svetlana Kuznetsova i dha lamtumirën turneut australian.

Në kampin e meshkujve, Roger Federer u kualifikua për në raundin e tretë pasi mundi ukrainasin aleksander Dolgopolov 3-0. Dolgopolov u përpoq të bënte rezistencë ndaj zviceranit, por numri 3 i botës ishte në ditën e tij më të mirë dhe arriti të kontrollojë pa shumë probleme këtë ndeshje duke i fituar setet 6-3; 7-5; 6-1.

Fitore në këtë raund shënuan edhe Tomas Bërdiç e Marin Çiliç që mposhtën respektivisht Basis dhe Ramos-Vinjolas.

Top Channel