Zbulohet pllaka përkujtimore në nderim të ushtarëve sllovakë

19/01/2016 00:00

Në parkun e qytetit në Prishtinë është zbuluar një pllakë përkujtimore në nderim të 43 ushtarëve sllovakë të KFOR-it në Kosovë, të cilët para 10 viteve humbën jetën gjatë një aksidenti tragjik ajror në Hungari, derisa po ktheheshin në vendlindje pas përfundimit të misionit paqeruajtës në Kosovë.

Në bordin e avionit “Antonov An-24V” ndodheshin 44 ushtarë sllovakë të KFOR-it, të cilët pas misionit 6 mujor në Kosovë po kththeshin në Sllovaki, por pësuan aksident dhe vetëm një prej tyre mbijetoi.

Vendosja e pllakës përkujtimore me emrat e paqeruajtësve sllovakë është bërë me iniciativën e Presidentes Atifete Jahjaga, ndërsa në ceremoni mori pjesë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Europiane i Sllovakisë, Miroslav Lajcak.

 “Jemi mbledhur të përkujtojmë 10-vjetorin e tragjedisë më të madhe të Ushtrisë sllovake. Para 10 vitesh, 43 ushtarët e Sllovakisë përmbushën të gjitha detyrat e tyre në Kosovë, ata ishin rrugës për në shtëpi për të takuar familjarët e tyre, por fatkeqësisht ata nuk arritën. 43 prej tyre vdiqën në aksidentin afër kufirit sllovak, vetëm 1 prej tyre arriti të shpëtojë. Duket vërtetë si një përfundim heroik ku heroi përfundon misionin e tij dhe vdes, por fatkeqësisht ky nuk është një libër, por një e vërtetë dhe heronjtë ishin të vërtetë”, deklaroi Lajcak.
 
“Ne kemi ecur përpara të bindur në përcaktimin tonë Euro-Atlantik dhe të pa zbrapsur në arritjen e këtij synimi. Këta 43 paqeruajtës dhe mijëra të tjerë që kaluan nëpër Kosovë janë pjesë e pandashme e historisë tonë të re. Kosova gjithmonë do të jetë mirënjohese për kontributin e tyre dhe këtë sakrificë sublime”, tha Jahjaga.
 
Asyeja e vizitës së kryediplomatit sllovak ishte ky memorial, por Lajcak ka zhvilluar edhe takime gjatë ditës me përfaqësues të shtetit të Kosovës.

Top Channel  mëson se vota “kundër” e Sllovakisë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, ka ndikuar që kryediplomatit sllovak të mos i organizohet një konferencë për media, ashtu siç ndodh zakonisht në vizita të ngjashme të zyrtarëve të lartë.

Top Channel