Blatter i dënuar, por paguhet ende nga FIFA

19/01/2016 13:50

Sepp Blatter do të vazhdojë që të paguhet nga FIFA, pavarësisht dënimit me 8 vjet pezullim nga të gjitha aktivitetet. Ai që e deklaroi këtë ishte zëdhënësi i FIFA, Andreas Bantel.

“Deri në momentin e zgjedhjes së presidentit të ri më 26 shkurt, Blatter është ende në këtë detyrë pasi kështu është në kontratën e tij”, tha Bantel.

Blatter më 8 tetor u pezullua me 90 ditë, dënim ky që u rrit në 8  vjet për shkak të pagesës prej 1.8 milionë eurosh për llogari të Michel Platini në vitin 2011.

Sipas Komisionit të Auditit të FIFA, për Blatter mund të bllokohet dhënia e bonuseve të ndryshme, por nuk mund t’i mohohet paga pasi kjo është pjesë e kontratës që ai ka nënshkruar.

Federata Ndërkombëtare e Futbollit është përfshirë në një krizë të thellë për shkak të skandalit të korrupsionit që ka sjellë edhe vendosjen e 41 personave nën akuzë nga ana e SHBA për veprime ilegale.

Prokuroria amerikane po vijon hetimet e saj, ndërkohe që edhe drejtësia zvicerane po e bën një gjë të tillë paralelisht. Vetëm javën e kaluar, FIFA shkarkoi nga detyra e Sekretarin e Përgjithshëm, Zherom Valke për shkak të përshirjes së këtij të fundit në një skemë të shitjes së paligjshme të biletave të Botërorit të vitit 2014.

Ky skandal i FIFA ka bërë që qeveria e futbollit botëror në vitin 2015 të raportojë një bilanc me humbje financiare, gjë që ndodh për herë të parë për këtë institucion që nga viti 2001.

Top Channel