Kupa e Italisë, Alessandria e Serisë C kalon në gjysmëfinale

18/01/2016 00:00

Skuadra e Alessandrias hyn në histori. Ata bëhen skuadra e parë nga kategoria e tretë e futbollit italian që kalojnë në gjysmëfinale të Kupës së Iialisë. Dhe kualifikimi në ½-t nuk ishte shumë i thjeshtë.

Alessandria fituan në transfertë ndaj skuadrës së Serie B, Spezias, e cila deri në minutën e 83 po fitonte 1-0 falë golit nga pika e bardhë në minutën e 20 të Calaios.

Në minutën e 70, trajneri Greguçi bën zëvendësimin e parë duke futur në lojë Ricardo Bocalon, i cili shndërrohet në hero të miqve duke shënuar një dopietë dhe duke kaluar të tijtë në gjysmëfinale.

Kur luhej minuta e 83 ai shënoi edhe golin e parë e të barazimit, ndërsa vetëm dhjetë minuta më vonë, kur të gjithë po mendonin se do të duheshin shtesat, i njëjti lojtar shfaqet dhe bën mrekullinë për 1-2.

Gjithsesi, kjo nuk është gjysmëfinalja e parë për Alessandrian, pasi edhe para 80 vitesh kishte arritur të kualifikohej në këtë fazë të Kupës së Italisë, dhe sikurse atëherë, edhe këtë vit do të luajnë përballë kuqezinjve të Milanit.

Top Channel