Maqedoni, Dimitriev mandatohet kryeministër. Kuvendi shpërndahet më 24 shkurt

18/01/2016 00:00

Menjëherë pas vendimit të partnerëve të koalicionit qeveritar, VMRO-DPMNE dhe BDI, për të mos lejuar shtyrjen e zgjedhjeve të 24 prillit, mbrëmjen e së hënës Parlamenti i Maqedonisë konstatoi dorëheqjen e kryeministrit Nikola Gruevski, 100 ditë para votimeve.

“Jam njoftuar se kryetari i qeverisë nuk do ta arsyetojë sot dorëheqjen. Në bazë të nenit 93, paragrafi 3 i Kushtetutës së Maqedonisë, dorëheqja e kryetarit të Qeverisë nënkupton edhe dorëheqjen e kabinetit të tij. Konstatoj se, në bazë të nenit 220 të Rregullores së Parlamentit, kryetarit të Qeverisë dhe kabinetit të tij i ndërpritet mandati”, tha Trajko Veljanovski, kryetar i Parlamentit në Maqedoni.

Në seancën e jashtëzakonshme, deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së kanë propozuar e më pas kanë votuar edhe për shpërbërjen e Kuvendit të Maqedonisë, më 24 shkurt.

“Parlamenti i Maqedonisë dhe deputetët janë të detyruar, në bazë të marrëveshjes për daljen nga kriza, të miratojnë vendimin për shpërndarje, si kusht i vetëm që Maqedonia të dalë nga kriza përmes organizimit të zgjedhjeve të parakohshme më 24 prill”, tha Ilija Dimovski, shef i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.

Deputetët e LSDM-së opozitare, të cilën u larguan nga seanca, theksuan se partia që përfaqësojnë ata nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, pa u krijuar më parë kushtet demokratike.

“Gruevski nuk dëshiron që lista zgjedhore të pastrohet, në mënyrë që të ketë mundësi të manipulojë zgjedhjet me votues fiktivë. Nikola Gruevski nuk dëshiron media të lira, sepse i nevojitet terri informativ për të mbuluar krimin e tij. Qytetarët nuk kanë dobi nga zgjedhjet, nëse nuk pastrohet lista dhe pa reformë në media”, tha Goran Sugarevski, shef i grupit parlamentar të LSDM-së.

Ndërkohë, menjëherë pasi Kuvendi konstatoi dorëheqjen e Gruevskit, Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov ia dorëzoi mandatin për formimin e qeverisë kalimtare Sekretarit të Përgjithshëm të VMRO-DPMNE-së, Emil Dimitriev.

Top Channel