Kosovë, opozita shënjestron qeverinë edhe për prefiksin shtetëror

18/01/2016 00:00

Opozita kosovare ka vënë qeverinë, këtë të hënë, në shenjestër të kritikave, në lidhje me prefiksin e ri shtetëror dhe lejimin e operimit të kompanisë shtetërore serbe në territorin e Kosovës.

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, dhe eksperti Ismet Hamiti theksuan, në një konferencë për shtyp se, puna e operatorit të ri serb në Kosovë rrezikon sovranitetin e vendit, zhvillimin ekonomik dhe sigurinë.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri tha se, kodi i ri telefonik “383” nuk do të jetë i Kosovës, por do të jetë pronë e Serbisë, ndërkohë që Kosova do të jetë përdoruese e tij.

Për VV-në, qeveria e Kosovës ka pasur rrugë të tjera për kodin telefonik, siç është aplikimi i drejtpërdrejtë për anëtarësim në ITU si vend sovran, ose zbatimi i rezolutës së Kuvendit të Kosovës për të marrë kodin “355” të Shqipërisë.

Më 15 janar, në mbledhjen e qeverisë është marrë një vendim, me anë të të cilit i ndërhyhet kundërligjshëm Autoritetit Rregullativ, me orientimin për t’i dhënë licencë të përkohshme kompanisë shtetërore të Serbisë që të punojë në Kosovë. Gjë e cila, për VV-në, është një mënyrë tinzare për ta paraqitur si sukses, faktin që kjo leje për MT e Serbisë hyn në fuqi, që prej momentit kur Kosova merr kodin telefonik 383.

Visar Ymeri bëri të ditur se, opozita do të vazhdojë kundërshtimin e marrëveshjeve me Serbinë, përshirë edhe atë për kodin telefonik, me metoda të njëjta siç ka vepruar deri më tani.

Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për shtyp gjatë kësaj të hëne, e ka cilësuar këtë akt si një ndërhyrje të Serbisë në Kosovë.

“Qeveria e Kosovës udhëzon ‘de facto’ Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, t’i shkelë të gjitha kriteret e procedurat, për t’i mundësuar Serbisë të operojë në Kosovë automatikisht, një mundësi që operatorët nuk e kanë as në Serbi”, thuhet në komunikatën për shtyp të AAK-së.

Top Channel