Sampdoria interesohet për Mërgim Mavrajn

18/01/2016 14:00

Mërgim Mavraj mund të shtojë radhët e futbollistëve shqiptarë në Serinë A. Sipas asaj që publikohet te revista gjermane “Kicker”, mbrojtësi i Këlnit është vënë në shënjestrën e Sampdorias që kërkon të përforcohet në repartin e prapavijës dhe futbollisti i kombëtares sonë shihet si personi ideal për skuadrën xhenoveze të drejtuar nga Vincenzo Montella.

Megjithatë, për momentin kjo histori është vetëm në kuadrin e idesë, pasi sipas trajnerit të Këlnit, Jorg Shmadtke, skuadra italiane ende nuk ka kontaktuar me drejtuesit e klubit gjerman.

Nëse transferimi i Mavrajt te Sampdoria kryhet, atëherë ai do t’i bashkohet Berishës, i cili është pjesë e Lazios si dhe Arlind Ajetit, i cili ka lënë Zvicrën për të kaluar te Frosinone.

Një tjetër futbollist i përfaqësueses shqiptare që do të luajë në kampionatin italian është edhe Berat Gjimshiti, i cili është zyrtarisht lojtar i Atalantës. Mbrojtësi 23-vjeçar ka mbërritur në Bergamo dhe kreu vizitat mjekësore me klubin zikaltër.

Top Channel