NBA, fitorja e 11 radhazi për San Antonion (Video)

18/01/2016 11:30

San Antonio Spurs vazhdon serinë e fitoreve në NBA. Skuadra e drejtuar nga Greg Popovich fitoi derbin teksan me Dallas Mavericks 112-83, duke shënuar fitoren e 11 radhazi, sukses që erdhi në “AT&T Center”, duke konfirmuar edhe një herë faktin se Spurs është një skuadër e pathyeshme në fushën e saj.

Ai që spikati në këtë ndeshje për San Antonion ishte Aldridge, me 23 pikë të shënuara. Me këtë sukses, Spurs shënon një bilanc me 36 fitore e 6 humbje, duke iu afruar Golden State Warriors në krye të renditjes së Konferencës së Perëndimit.

Miami Heat dorëzohet përballë Oklahoma City Thunder në sfidën e zhvilluar në “Cheeseapeake Energy Arena” me skuadrën vendase që e mbylli atë 99-74. Ai që  mori përsipër të udhëheqë Oklahomën drejt kësaj fitoreje ishte Kevin Durant, me 24 pikë dhe 10 topa në tabelë. Për Miami u dallua Dwayne Wade me 22 pikë, por që nuk i shërbyen shumë skuadrës nga Florida. Pas kësaj fitoreje, Oklahoma qëndron e qetë në vendin e tretë të Konferencës së Perëndimit me 30 fitore dhe 12 humbje, ndërsa Miami është në vendin e pestë në Lindje, me 23 fitore dhe 18 humbje.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Minnesota Timberwolves mundi Phoenix Suns 117-87, Denver Nuggets fitoi me Indiana Pacers 129-126, ndërsa Houston Rockets mposhti Los Angeles Lakers 112-95.

Top Channel