Juve me hap kampioni, 10 fitore radhazi

17/01/2016 00:00

Juventus ka shënuar fitoren e dhjetë radhazi pasi mposhti në trasnfertë Udinesen me rezultat 0-4. Edhe pse Allegri e nisi ndeshjen me mendjen te sfida e mesjavës për Kupë duke lënë pushim disa nga titullarët, Udinese nuk u tregua një kundërshtar i denjë për kampionët aktualë.

Dybala vazhdon formën e mirë duke shënuar dy gola, të parin nga një goditje dënimi 15 minuta pasi filloi ndeshja, ndërsa të dytin nga pika e bardhë në të 26-n. Khedira dhe Alex Sandro ishin dy lojtarët tjerë që shënuan. Juve tani është në vend të dytë në klasifikim, dy pikë më pak se Napoli.

Ndërkohë, Spalletti nuk e nisi mbarë aventurën e tij me Romën, pasi u ndal në barazim 1-1 në shtëpi nga Verona e vendit të fundit. Nainggolan shënoi në pjesën e parë për vendasit, ndërsa Pazzini barazoi nga pika e bardhë në minutën e 61.

Nuk ka marrë më shumë se një barazim as Lazio i Etrit Berishës që luajti titullar në sfidën kundër Bolognas. Ende pa u luajtur 20 minuta lojë, portieri i Kombëtares pësoi dy gola.

Giaccherini realizoi ndoshta edhe golin e vitit kur shënoi nga rreth 25 metra nga goditja e dënimit. Ndërsa, në të 18-n, pas një aksioni me pasime të shpejta të vendasve, Destro del i vetëm përballë Berishës dhe shënon për 2-0.

Megjithatë, Lazio rikthehet në lojë në minutën e 71, kur Candreva shënon nga pika e bardhë, pasi më parë Masina ndërhyri në zonë ndaj Miroslav Klose për të cilën u ndëshkua edhe me të kuq. Në të 77-n, Lulic realizon edhe golin e barazimit.

Në ndeshjet e tjera, Carpi mposhti Sampdorian 2-1, Chievo barazoi në shtëpi me Empolin 1-1 si dhe Genoa shënoi një fitore të rëndësishme përballë Palermos 4-0.

Top Channel