Promovimi i sporteve “outdoor” në Shqipëri, projekt i 5 federatave

17/01/2016 00:00

Krerë të sporteve të ndryshme si Aeronautika, Rafting, motoçiklizmi apo disiplina të tjera të ashtuquajtura “outdoor” – që luhen në ambiente të hapura në natyrë – janë mbledhur për herë të parë për projekte afatgjata, që do të sjellin bashkëpunim edhe më të mirë në të ardhmen.

Sportet “outdoor” prezantuan arritjet dhe kalendarin e vitit 2016, ku ishin të pranishëm protagonistë nga Federata e Motoçiklizmit, e Raftingut, e Çiklizmit, e Zhytjes dhe Federata shqiptare e Aeronautikës, që do të bashkëpunojnë për promovimin e sportit dhe zhvillimin e mëtejshëm të tij.

“Active Spot 2016”, një nismë e përbashkët e 5 federatave, u pagëzua dhe nisja e projekteve afatgjata. Qëllimi i aktivitetit ishte të promovonte sportet “outdoor” për vitin 2016, duke promovuar Shqipërinë në sytë e botës, duke e kthyer në një qendër të madhe “outdoor” në Ballkan dhe Europë.

Me këtë synim, Aeronautika shqiptare do të realizojë këtë vit një nga etapat e Kupës së Botës dhe vitin e ardhshëm eventin më të madh, Kampionatin Botëror të Precizionit.

Gjatë aktivitetit, Federata e Motoçiklizmit ndau çmimet për kampionatin e 2015-s, ku kishte fitues nga kategori dhe disiplina të ndryshme. Sportisti i vitit 2016 u shpall Blerim Aliji, nga Kosova. Gjatë aktivitetit, Federata e Motoçiklizmit prezantoi gjithashtu kalendarin për kampionatin e 2016-s, i cili do të ketë 3 disiplina: Supermoto, Enduro dhe Motocross.

Top Channel