Klopp: Mund të isha trajner i Man. UTD

16/01/2016 15:40

Jurgen Klopp mund të kishte qenë pasuesi i Sir Alex Ferguson në pankinën e Manchester Junajtid në vitin 2013, kur skocezi vendosi të lërë stolin e Djajve të Kuq.

Është vetë trajneri i Liverpool që e pohoi këtë pikërisht në prag të sfidës që skuadra e tij do të luajë me Manchester Junajtid.

“Ishte një periudhë kohë që Manchester Junajtid ishte i interesuar për mua, por unë nuk mund të lija Borusian e Dortmundit. Nuk mund të bësh planifikime për vitin pasardhës kur je në mes të një sezoni. Nuk kisha dëgjuar për ndonjë ofertë reale, por edhe sikur të më kishte ardhur një e tillë, do ta kisha refuzuar. Fillimisht duhet të mbaroja atë që kisha nisur me Dortmundin dhe më pas të mendoja për gjëra të tjera. Ndoshta nuk është mënyra më e zgjuar, por unë kështu veproj. I isha besnik Dortmundit dhe e njëjta gjë ishte edhe me Mainzin”, rrëfen Klopp.

Sfida mes Liverpool dhe Manchester United do të zhvillohet ditën e diel në Anfield. Manchester Junajtid është në vendin e gjashtë me 34 pikë, ndërkohë që The Reds kanë vetëm 3 pikë më pak se të besuarit e Luis van Gaal.

Top Channel