Pacolli: Presidenti të zgjidhet nga populli

16/01/2016 15:25

Dy ditë pas dorëzimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese përmes së cilës kërkon zbatimin e rezolutës së Kuvendit për ndryshimet kushtetuese që mundësojnë zgjedhjen e presidentit kosovar nga vota e drejtpërdrejtë e qytetarëve, Behgjet Pacolli shprehet optimist se kërkesa e tij do të merret për shqyrtim nga organi më i lartë i drejtësisë.

Në një intervistë për Top Channel, Pacolli tha se me kërkesën e tij dërguar në Kushtetuese dëshiron të sensibilizojë institucionet e shtetit dhe politikanët që të jenë të sinqertë dhe të kryejnë obligimet që kanë marrë me marrëveshje politike e cila ishte shëndërruar në rezolutë parlamentare.

Ai tha se kërkesa e tij në thelb kërkon që Gjykata Kushtetuese të vërtetojë se liderët e PDK-së dhe LDK-së nuk e zbatuan marrëveshjen politike me të e cila ishte shndërruar në rezolutë parlamentare.

“A ishte e drejtë kjo që vepruan dy të interesuarit në këtë ngjarje, gjegjësisht dy kryetarët e partive më të mëdha dhe pse Kuvendi nuk mori iniciativë që të ndërtohen këto amendamente?”, thotë Pacolli.

Pacolli tha se përmes kërkesës në Kushtetuese synon që Kuvendi të marrë obligimin që ka pasur dhe të bëjë ndryshimet kushtetuese që t’i hapë rrugë që presidenti të zgjidhet nga qytetarët, e jo sipas tij, në çdo 5 vite vendi të zhytet në krizë politike për zgjedhje të presidentit.

“Gjykata Kushtetuese të veprojë konform kërkesave, që janë legjitime, ne e dimë atë. Dhe të urdhërojë Kuvendin e Kosovës dhe kjo do të mund të ndodhte shumë shumë shpejt po të ishte vullneti i partive politike dhe unë shpresoj shumë se kjo do të ndodhë”, deklaron Pacolli.

Por njohësi i çështjeve kushtetuese, Vigan Qorolli është skeptik nëse Gjykata Kushtetuese do ta marrë në shqyrtim lëndën e dorëzuar nga ish-presidenti Behgjet Pacolli.

“Meqenëse rezoluta dhe këto amendamentet kushtetuese nuk janë aprovuar në një seancë plenare me dy të tretat për ndryshimin e Kushtetutës, atëherë kjo është një situatë e pastër politike dhe nuk ka implikime juridike derisa nuk merret një vendim i Kuvendit, i cili do të jetësonte ato amendamente kushtetuese në praktikë dhe do të duhej rrjedhimisht Kusghtetuta të plotësohej dhe të shkohej në zgjedhje të drejtpërdrejtë për presidentin nga populli”, thotë Vigan Qorolli, jurist.

Ish-presidenti kosovar Begjet Pacolli, që nga hyrja në politikë ka kërkuar që zgjedhja e presidentit të bëhet me votë të drejtpërdrejt pasi ai konsideron se në atë mënyrë presidenti ruan unitetin e qytetarëve dhe ka kredibilitet dhe pushtet të respektuar nga të gjitha palët.

Top Channel