Fiorentina, vendimtare për Mihajloviç

16/01/2016 13:40

Sfida e Milanit me Fiorentinën në San Siro do të jetë shumë e rëndësishme për Sinisha Mihajloviç, pasi do të jetë nën vëzhgimin e Silvio Berluskonit.

Presidenti i klubit kuqezi do të jetë në shkallët e stadiumit për të ndjekur këtë ndeshje nga ku pret një fitore, por edhe lojë të mirë të Milanit. Në rast se do të ndodhë e kundërta shkarkimi i Mihajloviç bëhet i pashmangshëm, madje nuk përjashtohet mundësia që ajo të ndodhë në lidhje direkte, ashtu sikurse edhe në rastin e Zaccheroni-t.

Nëse Mihajloviç shkarkohet, vendin e tij pritet ta marrë Marcelo Lippi, që e ka shprehur gatishmërinë dhe është duke monitoruar situatën e kuqezinjve.

Për ndeshjen e së dielës, në formacionin bazë  është e sigurtë prania e Carlos Bacca-s, ndërkohë që në mesfushë Bertolaci mund t’i lërë vendin Montolivos, ndërkohë Boateng dhe Baloteli ka shumë të ngjarë ta nisin këtë sfidë nga stoli.

Top Channel